Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ftuar në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu u është përgjigjur aleatëve duke deklaruar se shumë shpejt do të zyrtarizohet skema për të dalë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit. “Do ta bëjmë publike shumë shpejt sapo koalicioni të bjerë dakord për kohën apo momentin kur duhet të ndodhë” tha ai.

Po ekipin kandidat për në pushtet, kur do ta publikojë Lulzim Basha? “Ne kemi bërë një proces të brendshëm të përzgjedhjes së kandidate që ka zgjatur 4 muaj. Programi dhe alternativa për cdo problem është prezantuar dhe po prezantohet. Nuk ka asnjë cështje që do të lihet në momentin e fundit”.

Duke iu përgjigjur kritikëve të djathtë, Bardhi është i bindur që Basha do të jetë kryeministri i ri i vendit. “Lulzim Basha është kryetar i PD-së me votë të demokratëve shqiptarë dhe me votë të shqiptarëve do të jetë kryeministri i ri në 26 prill, do të jetë më i miri që ka pasur Shqipëria, të paktën një cilësi e ka, është njerëzor”

Po nuk fitoi do të largohet? “Në 26 prill Lulzim Basha do të jetë kryeministri i Shqipërisë. Këtë e di edhe Edi Rama” tha i bindur edhe njëherë Bardhi.

Por a do ta gjykojë populli, PD-në edhe për djegien e mandateve? “Qytetarët do të gjykojnë opozitën, që është alternativa e zgjidhjes së halleve të tyre me atë që ne ofrojmë. Veprimet politike të kryera kanë sjellë benefite në momentin që janë marrë dhe sot asnjë shqiptar nuk i intereson nëse në kuvend është apo jo një deputet i PD-së”

Ish-deputeti Halim Kosova, i lënë jashtë listës nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave në PD, është njëri nga ata që kanë kritikuar staturën e Gazment Bardhit si numri dy i partisë më të madhe në opozitë.

Por cfarë mendon Bardhi? “Halim Kosovën nuk e kam dëgjuar të ketë kritikuar staturën time, unë jam zgjedhur sekretar në përputhje me statutin e PD-së. Nëse keni një emër konkret jam gati ti kthej përgjigje. Nuk kam dëgjuar asnjë kritikë”

Por cilat janë arritjet e tij në këtë post? “Detyra ime është të mbajë të organizuar strukturën e partisë dhe struktura është funksionale. Detyra ime është të jem në ballë të cdo aksioni politik dhe kam qenë” përfundoi ai. / db/abcnews.al