Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, teksa është pritur në takim nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe më pas do të ketë takime me liderët e tjerë shqiptarë.
E veshur me blu, teksa mbante një maskë të zezë, ku shfaqeshin dy flamujt, e Shqipërisë dhe Kosovës, Osmani është pritur në një ceremoni zyrtare nga Kreu i Shtetit.
Më herët Osmani e ka nisur vizitën në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.
Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.
Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.
Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe europiane.
Comments are closed.