Ditët e fundit kanë njohur një rritje të numrit të të infektuarve me Covid 19 në Shkoder. Vetëm përgjatë 48 orëve të fundit kanë qënë 162 qytetarë të cilët kanë rezultuar pozitiv nga testimet e kryera. Prej ardhjes së testeve të shpejta, duket se ato në masë kanë zëvëndësuar ato PCR, pasi mbi 85 per qind e ekzaminimeve po kryhen me “Rapid test” ku përgjigjia qytetarëve u jepet në 15 minuta

Ajo që epidemiologët po e shohin me shqëtësim këto ditë është rritja e infektimeve edhe në shkolla, ku janë 63 mësues në bashkinë Shkoder me Covid si dhe 2 nxënës, ndërsa në Malësi të Madhe 4 mësues.

Pjesa më e madhe e rasteve të konfirmuara pozitiv, janë persona të cilët fatkeqësisht vijojnë të mos respektojnë karantinën e detyruar, por dalin lirisht në rrugë, duke infektuar edhe të tjerë shtetas. Policia për shkak të situatave të krijuara javët e fundit, e ka tërësisht të pamenaxhueshme situatën e monitorimit të tyre

Thirrja e mjekëve është që task forca të forcojë kontrollet në terren, pasi me këto shifra rrezikojmë të kolapsojmë sistemin shëndetësor. Nga ana tjetër edhe pse spitali i Shkodres nuk është Covid, ai ka aktualisht të shtruar mbi 20 pacientë të infektuar, ndërsa janë bërë gati 85 shtretër

Sipas të dhënave të shendetit publik në Shkoder janë 498 pacientë aktiv dhe në Vau Dejës 11, nga këto vetëm 1 është i shtruar në spital, pjesa tjetër monitorohet në kushte shtëpie. Kjo tregon se infektimet e larta që janë në kushte shtëpie, e një pjesë asimptomatik, janë mine me sahat për pjesën tjetër të popullatës