Në një kohë kur protestat duket se do të jenë të përditshme, e qytetarëve nuk u është shuar revolta me dorëheqjen e Lleshajt, për ti hedhur edhe më shumë zjarrit benzinë ka menduar kreu i qeverisë Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se të gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen e Ardit Veliut duhet ta harrojnë, pasi Policia e Shtetit nuk mund të merret peng nga askush. Rama shkruan se ai nuk do të lejojë askënd të rrënojë reformat dhe punën e bërë në institucionin e Policisë.

Reagimi i Ramës:

Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!

Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!

Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!