Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka paditur për shpifje PD dhe përfaqësues të saj pas akuzave për përdorim të mjeve të Forcës Ajrore në fushatë zgjedhore.

Ky veprim i Xhaçkës vjen pas akuzave të vazhdueshme të PD-së, të ilustruara dhe me video, se ministrja përdor helikopterin për të lëvizur në qytete të ndryshme të vendit, ku mes të tjerave bën edhe fushatë politike.

PD denoncoi disa ditë më parë përmes ish-deputetit Xhemal Gjunkshi se Xhaçka për vetëm 2 muaj ka përdorur 22 herë helikopterin ushtarak.

“Vetëm në 2 muaj, për të shkuar me helikopterin ushtarak në Dibër si e dërguar e Edi Ramës për fushatën zgjedhore, Olta Xhaçka ka shpenzuar rreth 100 milionë lekë” deklaroi Gjunkshi.

Po sot, Partia Demokratike përmes ish-deputetes Albana Vokshi i ka kërkuar prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për ministren e Mbrojtjes, pasi sipas saj denoncimet e qytetarëve janë të vazhdueshme.

Pavarësisht deklaratave nga të dy kampet, derimë tani prokuroria nuk ka regjistruar asnjë hetim lidhur me këtë çështje, ndërkohë që Xhaçka i ka mohuar akuzat ndaj saj, edhe pse PD ka publikuar disa video ku ministrja shihet duke hyrë në helikopter.