Ministrja Ogerta Manastirliu ka zhvilluar takim me familjarët e pacientëve të prekur nga koronavirusi që janë të shtruar në spitalin Infektiv dhe shprehën shqetësimin për mungesën e komunikimit. Deri tani, janë vendosur oraret e pritjes 09:00 – 11:00 paradite dhe 17:00-18:00 pasdite për të marrë ushqime apo rroba që janë kërkuar nga vetë pacientët.

Manastirliu tregoi se qeveria do tu vërë stafit mjekësor në dispozicion tableta në mënyrë që tu sigurojnë pacientëve kontakt vizual me familjarët e tyre. Tabletat do të shpërndahen në të gjitha spitalet Covid.

“E mirëkuptoj që ju doni të komunikoni. QSUT ka vendosur një rregullore dhe ne këtë mekanizëm jemi duke përmirësuar, qoftë nëpërmjet administratorit të spitalit, qoftë nëpërmjet koordinatorëve me pacientin, qoftë nëpërmjet psikologëve, të cilët janë aty dhe do shërbejnë gjithashtu dhe për të bërë lidhjet direkte nëpërmjet tabletave që ne kemi vënë në dispozicion, pikërisht për të përmirësuar komunikimin.

Kjo është një mënyrë e lehtë dhe shumë më e shpejtë për të komunikuar edhe për t’i vendosur në kontakt familjarët me pacientët dhe patjetër që edhe ju qetësoheni. Tabletat do të shpërndahen në të gjithë spitalet Covid”, tha Manastirliu.

Ndërsa shefja e Infektivit, Najada Çomo u përgjigj për arsyen përse refuzojnë familjarët të flasin në telefon duke thënë:

“Refuzojnë të flasin në telefon për shkak të oksigjenit dhe ju duhet të flisni ose me mesazhe dhe nuk ndodh nga problemet psikologjike. Me neve komunikon normalisht”, tha Çomo.