Nga Erblina Mile
Prej vitesh shqiptarët detyrohen të paguajnë faturat e kripura të largimeve të padrejta nga administrata shtetërore. Sipas të dhënave të ministrisë së financave rezulton se gjatë periudhës janar – shtator të këtij viti është krijuar në total një borxh prej 22,4 mld lekë ose rreth 181 mln euro. Këto detyrime të prapambetura janë krijuar si ndaj biznesit ashtu edhe ndaj individëve. Sipas të dhënave rezulton se qeveria i detyrohet punonjësve që janë larguar nga pozicioni që mbanin pa motivacion konkret, 21 mln euro
Shqetësim mbeten detyrimet e prapambetura si pasojë e largimeve të padrejta nga puna edhe në qeverinë vendore ku rezulton se për 9 muaj të këtij viti është krijuar një borxh prej 8 mln eurosh. Por përtej këtyre detyrimeve problem serioz mbetet edhe rimbursimi i TVSH-së për bizneset në vend. Prej kohësh Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë apel qeverisë të mos krijoj borxhe në këtë drejtim pasi penalizon bizneset por mesa duket përkeqësimi i treguesve financiare ka detyruar financat që të krijojë borxh të konsiderueshëm ndaj bizneseve i cili llogaritet në vlerën e 11.3 mld lekëve ose 91 mln euro duke rezultuar vlera më të lartë e totalit të detyrimeve të krijuara deri më tani.
Detyrime të prapambetura janë krijuar gjithashtu edhe nga mospagesa për investime një praktikë kjo e përsëritur ku qeveria hap kantiere pa pasur fondet përkatëse si dhe nuk ka paguar firmat që merren me mirëmbajtjen e rrugëve. Ndërkohë nëse i ndajmë detyrimet sipas ministrive rezulton se Ministria e Infrastrukturës është debitorja më e madhe e ndjekur më pas nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme.
Infrastruktura i ka krijuar këto detyrime për shkak të largimeve të padrejta nga puna dhe kap një vlerë prej 10,4 mln eurosh më pas detyrimet krijohen nga vonesa e pagesave për projekte të ndryshme dhe mirëmbajtja.
Ministria e Brendshme renditet e dyta për nivelin e lartë të borxheve si pasojë e largimeve nga puna e ndjekur nga Ministria e Turizmit dhe e Shëndetësisë.
Comments are closed.