Pa asnjë të dhënë mbi incidencën e transmetimit të virusit gjatë orëve të natës, bazuar vetëm në eksperiencën e vendeve të tjera dhe rekomandimin e OBSH, komiteti i ekspertëve të shëndetësisë ka vendosur ta fusë vendin në gjysmëkarantinë.
Drejtuesja e komitetit të ekspertëve, njëherësh numri 2 i Ministrisë së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, argumentoi masat e reja kufizuese si rezultat i rritjes së transmetimit dhe incidencës së sëmundshmërisë në dy javët e fundit. “Duke analizuar shifrat, grupet më të prekura dhe mënyrën që ka dalë nga hetimi epidemiologjik ku ka qenë më i shprehur infeksioni, shkaqet e rritjes, rekomandimet e OBSH për këtë fazë të zhvillimit të pandemisë si dhe eksperiencën, rajon dhe botë, komiteti propozon të merren disa masa që ne i konsiderojmë në përputhje me situatën që kemi me intensitet mesatar dhe që janë pjesë e strategjisë sonë të vjeshtëdimrit për përhapjen e infeksionit të Covid19
Në kushtet kur nuk ka ende një mjekim specifik për sëmundjen apo vaksinë, mënyra më e mirë për komitetin vazhdon të mbetet parandalimi. “Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. U bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë masat dhe rregullat e vendosura. Maska e detyrueshme në ambientet e hapura dhe të mbyllura ku ajo është e rekomanduar, kufizimin e kontakteve, respektimin e karantinës, higjienën dhe distancimin fizik e social, thelbësore për të frenuar virusin” vuri në dukje Rakacolli.
Baret dhe restorantet janë të parat biznese që nuk do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre në orët e natës, nga 22:00-06:00. Të penalizuar për këtë fashë orare janë edhe qytetarët, të cilët mund të lëvizin vetëm për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme. Ky orar do të implementohet nga nesër mbrëma dhe do të jetë në fuqi për tri javë rresht, i rishikueshëm në varësi të situatës të Covid19
ADMINISTRATA
Në kuadrin e rekomandimeve, edhe ata që punojnë për administratën, kur mundet, sugjerohet të punojnë nga shtëpia, me qëllim për të shmangur grumbullimet e njerëzve brenda ambienteve. Me përjashtim të atyre, puna fizike e të cilëve nevojitet medoemos, të gjithë të tjerët mund të punojnë online apo, siç Rakacolli e etiketon,, “smart-working”
“Rekomandojmë smart-working për administratën publike, sipas specifikës së sektorit në zbatim të protokollit të sigurisë. Përjashtim bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve që do të punojnë në zbatim të rreptë të protokolleve të sigurisë”
A DO KETË MBYLLJE TOTALE?
Që pas karantinës së parë dhe me rritjen e shifrave, njerëzit janë përfshirë nga paniku i një mbylljeje të dytë. Por a paralajmërojnë kufizimet e nisura atë destinacion?! Për anëtaren e komitetit të ekspertëve, Silva Bino, kjo përkthehet në një kambanë alarmi për popullatën, të cilët duhet të ndërmarrin përgjegjësi mbi vete, me qëllim që të mos shkohet drejt asaj rruge. “Nuk mund të bëj parashikime. E rëndësishme është që të matet impakti i këtyre masave dhe duhet të kujtojmë që përgjegjshmëria në lidhje me parandalimin e Covid19 është jo vetëm shtetërore, por edhe individuale”
EFEKTIVITETI I MASKËS
Nuk ka një masë matëse mbi ndikimin e përdorimit të maskës, ashtu sikundër nuk ka një të tillë mbi rolin e aktiviteteve të natës në përhapjen e virusit. Por, për një gjë komiteti shprehet me siguri. Ata që janë infektuar ose nuk kanë pasur maskë, ose e kanë mbajtur gabim. “Pa dyshim që maska ka dhënë rezultat. Nëse nuk do të ishte përdorur, shifrat do të ishin me siguri më të larta, sepse ne kemi monitoruar dinamikën e infeksionit kur nuk kishim maska dhe pas vendosjes së saj. Gjatë hetimit epidemiologjik është parë që në ato vende, ata që kanë rezultuar pozitivë në shumicën e rasteve nuk e kanë përdorur, ose e kanë përdorur maskën në mënyrën jokorrekte” thotë kryetarja Rakacolli.
SHKOLLAT
Në gati dy muaj mësim, ndonëse ka pasur qindra mësues e nxënës të infektuar, shkollat nuk rezultojnë të jenë vatër për përhapjen e virusit. Në këtë konkluzion ka arritur drejtuesja e komitetit të ekspertëve, e cila nuk i parasheh mjediset e shkollave si rrezik.
“Çdo masë që merret, merret në bazë të shifrave dhe arsyes se përse janë këto shifra. Nga dy muaj që prej se është hapur shkolla, nuk na rezulton që fëmijët të kenë shpërndarje më të madhe të infeksionit nga sa ka pasur më përpara dhe nuk i kemi të shndërruara shkollat në vatra infeksioni. Ne po vazhdojmë ti monitorojmë me shumë kujdes. Masat janë gjithmonë në vijimësi të situatës epidemiologjike. Ne shohim fenomenin, faktorët që na kanë çuar dhe çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar. Sot për sot shkollat nuk kanë influencuar në një rëndim të madh të situatës”
SHIFRAT
Përveç shifrave të bëra publike çdo ditë, ajo që ka ndezur alertin brenda komitetit dhe ka çuar në implementimin e masave të reja është rritja e “r”-së, e cila nuk është veçse shkalla e transmetueshmërisë së virusit. Së fundmi, incidenca ka shkuar në 30 raste për 100 mijë banorë, ndërsa “r” 1.3, nga 0.9 një muaj më parë.
Shifrat e lartpërmendura e kanë bindur komitetin që edhe pas maskës së detyrueshme në ambientet të hapura, të vendosin të tjera kufizime për të ndaluar shifrat katastrofike. “Të dhënat, së bashku edhe me atë që ne e quajmë niveli i atakut, i cili është i ngjashëm me prillin, tregon që kemi një rritje të qarkullimit të virusit në vendin tonë që kërkon masa përtej mbajtjes së detyrueshme të maskës, e cila për hir të së vërtetës është një masë shumë e rëndësishme, por që nuk respektohet gjithnjë nga qytetarët. E kanë maskën me vete, por nuk e mbajnë në fytyrë pro në gushë” deklaroi Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.
Comments are closed.