AURORA SHPATAJ
Mësimi online, që prej muajit mars e derisa përfundoi viti shkollor 2019-2020, ishte i paarritshëm për shumë fëmijë të familjeve të varfëra. Me nisjen e viti të ri shkollor, procesi mësimor vijon me orë të reduktuara, por mësuesit kanë nisur të njoftojnë rikthimin tek platformat e mësimit online. Nga verifikimi që “Faktoje” bëri në shkollat e tre njësive administrative të Shkodrës, zona me qindra familje të varfëra, vetëm një nxënëse ka përfituar tablet nga MASR.
Me rëndimin e situatës nga përhapja në masë e virusit covid-19, stafet e mësuesve kanë nisur të aplikojnë rikthimin tek mësimi online, ndonëse deri tani nuk ka një urdhër për mbylljen e shkollave.
Njoftim nga një grup Whatcapp-i
Nga ana tjetër ministrja e arsimit Evis Kushi, prej disa javësh njofton përmes rrjetit social facebook shpërndarjen e pajisjeve digjitale nëpër Shqipëri për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve në procesin e mësimit online.
Edhe paraardhësja e saj Besa Shahini, qëkur u shfaq pandemia premtoi shpërndarjen e mijëra tabletave dhe smartfonëve.
Por, nga vëzhgimi që “Faktoje” bëri në disa fshatra të Shkodrës rezulton që në 5 shkolla të tre njësive administrative, është dhënë vetëm 1 tablet.
Në shkollën 9-vjeçare në fshatin Bardhaj, ku mësojnë 348 nxënës nuk është dhënë asnjë tablet apo smartphone për të mundësuar mësimin online, as për nxësit dhe as për mësuesit.
Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, fshati me 545 familje ka 80 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike për shkak të varfërisë.
“Ne nga ministria nuk na është dërguar asnjë lloj pajisje si tablet apo telefon smart. Ne kemi komunikuar me ta me mjetet tona personale, çdo gjë e kemi bërë më mundësinë tona.” shprehet Tereza Brixha.
Shkolla 9-vjeçare Bardhaj.
“Unë prisja prindërit kur vinin nga puna që të merrja detyrat, sepse unë nuk kam telefon, as tablet. Shpesh herë më ndodhte që nuk kisha internet e rrija prapa me mësimet dhe nuk dija ç’të bëja.”- shprehet një nxënëse e klasës së tetë të kësaj shkolle.
E vetmja shkollë ku rezulton të jetë dhënë 1 tablet, është shkolla e mesme e bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë, që ka 600 nxënës.
Shkolla e Mesme e Bashkuar ‘Adem Haxhija’
“Në shkollën tonë është dhuruar vetëm një tablet, një nxënëseje ekselente që është me ndihmë ekonomike. Por, zona është shumë e varfër dhe nxënësit këtu shumica janë me ndihmë ekonomike.”-i tha një mësuese “Faktoje”-s.
Nga një komunikim me administratorin e Njësisë Administrative Postribë, me rreth 11 700 banorë, Altin Shabaj konfirmon se zona banohet nga familje të varfëra në masë.
“Njësia numër 1 administrative e Postribës ka 349 familje që marrin ndihmë ekonomike” -tha ai për “Faktoje”.
Verifikimin tonë e vijuam në shkollat 9-vjeçare ‘Dumen’, ‘Prekal’,’ ‘Ura e Shenjt’ me një numër prej rreth 70 nxënësish gjithsej.
Shkolla 9-vjeçare ‘Dumen’
“Jo, ne në shkollën ‘Dumen’ nuk kemi marrë asnjë lloj mjeti për mësimin online. Afërisht në shkollën tonë ka rreth 40 nxënës, por askush nuk ka marrë tablet ose smartphone. Gjatë karantinës ne kemi komunikuar aq sa kemi mundur me mjetet tona, por zona këtu është e varfër dhe fëmijët nuk kanë mundësi për telefona e tableta”-shprehet për “Faktoje” një mësuese e shkollës, e cila dëshiron të mbetet anonime.
As në shkollën 9-vjeçare ’Ura e Shenjt’ nuk është dhuruar ndonjë pajisje digjitale për mësimin në distancë.
“Jo, nuk kemi marrë asnjë gjë. Ne gjatë karantinës kemi mësuar me telefonat e prindërve e shpesh herë mbeteshim pa bërë mësim, sepse nuk kishim internet”-shprehet një nxënëse e klasës së gjashtë të kësaj shkolle në Postribë.
Shkolla 9-vjeçare ‘Ura e Shenjt’
Nga verifikimi që “Faktoje” bëri në Shkollën 9-vjeçare ‘Prekal’ rezultoi që nuk ishte dhuruar ndonjë pajisje digjitale nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
“Jo, asgjë prej gjëje s’kemi marrë as gjatë karantinës, as tani.”- tregon një nxënëse në klasë të pestë për “Faktoje”-n.
Shkolla 9-vjeçare’Prekal’
Në shkollën 9-vjeçare ‘Marin Sirdani’ në fshatin Bogë, Njësia Administrative Shkrel, ku sipas banorëvë mësojnë afërsisht 20 nxënës, mësimi online është një koncept i huaj.
“Ti shiko gjendjen e shkollës edhe të tregon se sa ministria e ka në vëmendje. Unë kam vite këtu e nuk mbaj mend një ministër ose përfaqësues të ministrisë që të vijë, e jo më të sjellin tableta e telefona.”- shprehet një banore e zonës e cila e ka fëmijën në këtë shkollë.
Shkolla 9-vjeçare Marin Sirdani
Pas vëzhgimit në terren, “Faktoje” i dërgoi një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë ku e pyeti se sa pajisje digjitale janë shpërndarë në zonën e Postribës, Bardhaj (Nj.Administrative Shkrel) dhe Bogë (Nj. Administrtive Rrethinat).
Përgjigjja nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë konfirmoi atë që “Faktoje” zbuloi në terren.
“Nga fillimi i pandemisë dhe deri tani në zonën e Postribës është shpërndarë vetëm një tablet në shkollën “Adem Haxhija”, ZVAP Shkodër”thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
“Faktoje” gjithashtu konfirmoi përmes bisedave telefonike me prindër, mësues dhe përfaqësues vendorë se edhe në Njësitë Administrative Shosh dhe Shalë, zona përtej Thethit dhe që izolohen gjatë dimrit nga bora, nuk ishin shpërndarë mjete digjitale për nxënësit.
“Faktoje” kërkoi edhe mendimin e ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti lidhur me mundësimin e mësimit online për fëmijët e familjeve të varfëra e që jetojnë në zona të largëta rurale.
“Në gjykimin tim, pajisja me tableta duhet të fillojë pikërisht nga zonat më të varfra rurale, duke zbritur në zonat urbane, për të zbutur sadopak diferencën e madhe që ka mes fëmijëve të qytetit dhe atyre që kanë mundësi ekonomike dhe fëmijëve që vijnë nga shtresat në nevojë dhe të disafavorizuara të popullatës.”-thotë Mehmeti për “Faktoje”
Comments are closed.