Qeveria holandeze është pozicionuar zyrtarisht kundër Shqipërisë për sa i përket hapjes së negociatave, duke mos miratuar mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor. Në letrën që qeveria holandeze i ka dërguar parlamentit hidhet poshtë vendimi i Komisionit Europian në të cilin thuhet se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet. Sipas qeverisë holandeze ky vendim është i parakohshëm dhe Shqipëria për të marrë dritën jeshile, duhet të bëjë akoma më shumë punë në dialogun ndërpolitik mes palëve dhe reformën zgjedhore.
“Komisioni arrin në përfundimin se, pavarësisht nga ky rezultat pozitiv, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht në fushën e reformave zgjedhore dhe zbatimin e tyre. Qeveria holandeze ndahet nga analiza e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur është i parakohshëm.
Pikë kyce për diplomacinë holandeze mbetet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ligji antishpifje për të cilin sipas Stef Blook, kryeministri Edi Rama është zotuar që do të marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Qeveria ndan vlerësimin e Komisionit se ende nuk ka kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në rishikimin e ligjit për media bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias. Në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një problem serioz që Komisioni paraqet. Pavarësisht emërimit të disa jo-magjistratëve, Gjykata e Lartë gjithashtu nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet. Janë ndërmarrë hapa kryesorë, veçanërisht në fushën e shqyrtimit të gjyqtarëve të lartë dhe prokurorëve, por kjo nuk po çon ende mjaftueshëm në dënime aktuale të gjyqtarëve të akuzuar për veprimtari kriminale gjatë shqyrtimit. Korrupsioni mbetet një problem i madh dhe i përhapur që do të vazhdojë të kërkojë vëmendje në vitet që vijnë” thuhet në raportin që mban nënshkrimin e ministrit të jashtëm Stef Blook
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonisë së Veriut i jepet drita jeshile për Konferencën ndërqeveritare në dhjetor. Për sa i përket Shqipërisë, e kuqja do të jetë e ndezur deri në momentin qe kushtet e cekura në konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 të jenë përmbushur bindshëm