Në 24 orët e fundit policia ka gjobitur 341 persona të cilët nuk kishin vendosur maskën, e cila prej ditës së enjte është e detyrueshme të mbahet në çdo ambient.

Po ashtu, policia njofton se ka shoqëruar 11 persona pasi nuk i janë bindur urdhrit për të treguar dokumentin e identifikimit, me të cilin punonjësi i Policisë duhet të plotësonte fletën e gjobës për shkeljen e konstatuar.

Policia e Shtetit nisur edhe nga shtimi i rasteve të personave të infektuar, por edhe për të monitoruar sa më mirë zbatimin e masës më të fundit për vendosjen e detyrueshme të maskës, ka rritur prezenën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin.