Nga Afrim Krasniqi
11 vjet më parë, më 26 shtator 2009 PS zhvilloi zgjedhje për kryetar me parimin “1 anëtar – 1 votë”. Kandidati kryesor rival (A.Malaj) paraqiti dorëheqje ndaj në “garë” mbetën Rama dhe Maqo Lakrori, një prej themeluesve të kësaj partie. Rezultati zyrtar, Rama mori mbi 93% të votave Lakrori vetëm 6.7%. Gara ishte formale, votimi formal, por Rama ishte de facto kryetar i PS dhe u konfirmua edhe pasi në zgjedhjet parlamentare 2009 mori 4 mandate parlamentare më pak sesa PD. Në proporcional PS ishte parti e parë me rreth 10 mijë vota më shumë, por sistemi i kalimit të votave në mandate privilegjoi skemën e djathtë, e cila siguroi mandat të tyre parlamentar, – tashmë në koalicion me LSI (2009-2013).
Prej vitit 2009 janë zhvilluar dy zgjedhje parlamentare, tri zgjedhje lokale, janë ndërruar disa presidentë amerikanë, por në PS nuk ka ndodhur asgjë. Mandati i Ramës përfundoi në shtator 2013, por ai refuzoi të ketë proces zgjedhor, duke thënë se ishte formalitet për sa kohë fitoi zgjedhjet parlamentare. Pas presionit brenda partisë PS ndryshoi statutin dhe më 2006 zhvilloi një referendum formal në parti, sipas të cilit kryetari nuk votohet kur është kryeministër.
U tha se është model laburist, por në fakt një model të tillë nuk e ka asnjë parti politike në PES dhe as EPP. Tabela ilustruese tregon sesi ishte zgjedhur kryetari i Partisë Laburiste në kohën kur PS tha po merrte përvojën e saj, dhe sesi është zgjedhur kryetari aktual. Votë, rivalitet, raunde dhe në fund fiton më i miri! Po ashtu tabela tregon se kancelaria Merkel, një model i jetëgjatësisë në post drejtues, de facto votohet nga kongresi i CDU çdo dy vjet.
Herën e fundit mori më pak vota dhe lajmëroi se do janë dorëheqjen, duke i hapur rrugë një gare të re dhe solli drejtues të rinj në CDU. Edhe tabela e SPD, partia simoter e PS në Gjermani, pati garë të ashpër dhe proces të gjatë zgjedhor gjatë 2019, – tabela e ilustron atë.
Mjaftojnë detaje të tilla për të kuptuar distancën e thellë, jashtëzakonisht të thellë, midis modelit shqiptar të politikës dhe modelit perëndimor. Lider modern dhe bashkëkohor nuk të bëjnë paratë dhe as veshjet luksoze të dhuruara nga klientët e pushtetit të radhës, por të bëjnë aktet që ndërmerr, idetë politike dhe vizioni për të ndryshuar gjendjen (për mirë).
PS është në pushtet prej dy mandatesh, ka synim të kërkojë mandat të tretë, por ajo, nga partia politike model e debatit të hapur në fundin e viteve ’90 është sot një nga partitë politike më të centralizuara, pa debat, pa rivalitet, pa mendim ndryshe dhe pa opsion B nëse kryetari p.sh, nuk jep udhëzime në whatsupp, twitter apo facebook. Në studimet politike Rama na ka dhuruar një rast sui gereris, kur një politikan refuzon të votohet dhe bën referendum që të pamundësojë votimin (edhe formal), një politikan që konkurron në zgjedhje pa opozitë dhe i “fiton” ato, si dhe politikani i vetëm që ka një kanal televiziv të dedikuar vetes.
Partitë e tjera? Nuk ka asnjë parti politike në Shqipëri që ka pasur procese zgjedhore të ndershme, të lira dhe konkurruese brenda saj. Aty ku ka pasur garë ajo ka qenë kryesisht formale dhe me pasoja në karrierën politike për rivalin përballë. Dhe kur partitë nuk bëjnë dot zgjedhje brenda tyre, nuk pranojnë mendim ndryshe brenda tyre, nuk respektojnë votën brenda tyre, a është e mundur ta bëjnë këtë jashtë tyre, – në zgjedhjet parlamentare e lokale, me votat e rivalëve politikë, me mendimin e rivalëve politikë, në konkurrencë me rivalët politikë?
Pasojat? Mjafton 3 argumente: ja ku jemi – pas 30 vitesh partitë janë më pak demokratike, më pak konkurruese, më të personalizuara dhe më të huaja për mendimet liberale e moderatore sesa në vitet 1991-1993. Partitë sot janë institucioni më i pushtetshëm në vend, prej tyre burojnë të gjitha pushtetet dhe natyrisht këto të fundit reflektojnë cilësitë e mënyrës sesi zhvillohen dhe funksionojnë partitë. Partitë sot janë biznes, janë familje, janë klientelë, janë tender, dhe nuk kanë programe dhe as identitet.
Në partitë e sotme gjen më shumë biznesmen sesa në Dhomat e Tregtisë, më shumë të dënuar sesa në institucionet e riedukimit, më shumë imitues sesa në estradën e Tiranës! Kjo është “merita” kryesore e atyre që aspiratën për demokraci e zëvendësuan me aspiratën e pushtetit dhe që zgjodhën axhendat partiake e elektorale mbi axhendën publike e shtetërore!