Burime të Top Channel bënë të ditur se Prokuroria ka rënë dakord që të ndahet dosja e Arben Ndokës nga të pandehurit e tjerë, sepse ka kërkuar gjykim të zakonshëm dhe të gjithë të pandehurit e tjerë gjykim të shkurtuar.
Arben Ndoka aktualisht gjendet nën masën arrest shtëpie. Ai ra në prangat e policisë në tetor të vitit 2018, gjatë operacionit të policisë “Volvo 4”
Ndoka dyshohet për disa vepra penale, mes të cilave “tjetërsim pronash” dhe “falsifikim dokumentesh”
Më herët atij i janë sekuestruar prona si një sipërfaqe prej 300 mijë metra katrorë në bregdetin e Lezhës dhe disa apartamente në plazh, me urdhër të Prokurorisë.
Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Disa javë më vonë, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të rishpallur në kërkim.
Emri i Arben Ndokës u lakua për një kohë të gjatë në vitin 2014, kur ai ishte deputet. Partia Demokratike publikoi në atë kohë dokumentat sipas të cilave Ndoka rezultonte të ishte dënuar në Itali, në fund të viteve 90 me mbi 7 vjet burgim, për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara” dhe se një pjesë të dënimit e kishte shlyer në burgjet shqiptare.
Ndoka, i cili foli për një ngjarje aksidentale, rezultonte të ishte liruar në vitin 2005 dhe më pas ai është angazhuar dhe në funksione drejtuese në administratën publike, deri dhe në Gardën e Republikës apo policinë e shtetit, sic ka pohuar ai vetë. Ndërsa deri para se të përfshihej në listat e socialistëve në zgjedhjet e 2013, ka qenë në postin e drejtorit në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në administratën e drejtuar nga demokratët.
Rasti i deputetit Ndoka, ndonëse pa u përmendur me emër, u përfshi në vitin 2015, në raportin e departamentit amerikan të shtetit mbi Trafikun e Personave. Në atë kohë ambasada amerikane në Tiranë, e cila përmes ambasadorit Donald Lu ka qenë e angazhuar direkt në përpjekjet për të parandaluar përfshirjen e personave të tillë vecanërisht në listat e kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, u shpreh se se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikim..in e njerëzve”
Nën një trysni në rritje, në muajin shtator të vitit 2015, Ndoka dha dorëheqjen nga parlamenti, duke dorëzuar mandatin /Top Channel
Comments are closed.