Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komentuar dorëheqjen e sekretarit të përgjithshëm të këtij dikasteri Plarent Ndreca. Në një reagim nga Gjirokastra për gazetaren e Fax News Ervina Shehaj, Lleshaj tha se kjo është një lëvizje rutinë në administratë dhe nuk ka të bëjë aspak me përplasjet për tenderat.

Lëvizja e sekretarit është lëvizje në administratë, s’ka lidhje me tenderat e uniformave, pasi për këtë hetojnë organe të tjera. Kjo është një lëvizje e tij për një pozicion tjetër, është shprehur Lleshaj.

Të njëjtin reagim ka pasur dhe vetë Ndreca për Fax News, i cili ka deklaruar se dorëheqja e tij është bërë për një tjetër pozicion tjetër në administratë.

Mësohet se për momentin funksioni i Ndrecajt po kryhet nga Elena Pici, edhe pse kjo është një lëvizje që ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar dhe nuk ka një shkresë të bërë publike. Pici edhe pse në një moshë shumë të re, ka mbajtur më herët postin e koordinatores në kryeministri.

Përplasjet mes Ndrecajt dhe Lleshajt kanë nisur për disa tendera që janë lëvruar në këtë institucion, e veçanërisht pas atij për kapelet e punonjësve të policisë, ku vetëm një e tillë kushtonte 350 euro

Kujtojmë se mëngjesin e të premtes dha dorëheqjen, edhe nëndrejtori i policisë së Tiranës, Arsen Sinomati, me pretendimin e arsyeve personale. Burimet thanë për Faxweb.al se dorëheqja e tij lidhet me faktin se brenda ditësh ai do të dilte përpara Komisionin të Jashtëm të Vlerësimit për tiu nënshtruar procesit të Vetingut.