Lagja Duksh e fshatit Kroni i Madhe në Njësinë Administrative të Shllakut, prej rreth dy vitesh, njihet edhe për një lokal që mund të konsiderohet i çuditshëm. Ai të sherben, edhe kur është i mbyllur, edhe kur askush nga personeli, nuk është i pranishëm.

Bar Kafe Guri, është një lokal që ofron të gjitha komoditetet, nga kafja deri tek gatimet tradicionale të zonës. Ai është kthyer në pikë referimi jo vetëm për Shllakun, por edhe të gjithë ata që lëvizin në këtë rrugë, nga zona të tjera të Dukagjinit, turistë vendas e të huaj.


Po cila është e veçanta e këtij lokali, ndoshta unikale jo vetëm në Shqipëri? Rastis që pronari apo personeli, për një arsye apo tjetër, nuk mund të hapin lokalin. Nuk ka asnjë problem, ai vijon të jetë funksional dhe të ofrojë shërbimet. Lokalin mund ta hapë çdokush.

Të gjithë e dinë vendin ku ruhet çelësi. Ndalon në këtë lokal, hap derën, vetësherbehesh me kafe, pije apo ndonjë ushqim, lë paratë brenda lokalit, mbyll sërish derën dhe vazhdon udhëtimin.

Ndoshta mund të duket e pabesueshme e gjithë kjo, por janë të shumtë ata, nga banorët e zonës por edhe të tjerë, që e kanë provuar këtë mikpritje, edhe kur lokali është i mbyllur

Ky sistem funksionon prej rreth tre vitesh pa problemin më të vogël. Pa frikë mund të thuhet se Bar Kafe Guri është një nga krenaritë e Shllakut dhe qoftë edhe për vetëm këtë arsye unikale, duhet të frekuentohet. Kjo është një shembull i bukur që ofron Shllaku pët të gjithë Veriun, madje edhe për Shqipërinë. Nga Mark GJEKA