Stacioni i pompave të ujësjellësit që furnizon qytetin e Shkodrës ka rrezikuar që të përfshihet nga flakët. Një zjarr ra në zonën e njohur si Dobraç i Ri ndërsa flakët kanë nisur të përhapen në një territor të gjërë duke rrezikuar stacionin e pompave por edhe disa banesa rreth e rrotull.
Ndërmarrja e ujësjellës kanalizime në Shkodër është mobilizuar me të gjitha mjetet dhe kapacitetet bashkë me një numër të konsiderueshëm punonjësish duke arritur të shpëtojnë stacionin e pompave por edhe bansat nga zjarri. Për rreth 9 orë mjetet e ujësjellësit dhe punonjësit kanë qenë në terren duke shuar flakët. Drejtori i ujësjellësit në Shkodër Mark Molla shprehet se zjarri është shuar dhe se nuk ka dëmë në banesa apo stacionin e pompave.
Gjithsesi rreziku nga zjarri për stacionin e pompave të ujësjellësit ka qenë e madhe ndërsa dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale në dy magazina.
Shuarja e flakëve të zjarrit ka qenë e vështirë sepse është përhapur në një sipërfaqe të gjërë prej 10 hektarësh ndërsa është dashur ndërhyrja e fadromës për të hapur rrugën në tokat e banorëve.
Drejtori i ujësjellësit në Shkodër Mark Molla thotë se zjarri mund të jetë nga neglizhenca e ndonjë banori por nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë zjarrëvënie të qëllimshme ndaj bën apel për policinë që të hetojë.
Dita e djeshme ka qenë një luftë e vërtetë me zjarret të cilët përfshinë disa zona të ndryshme. Përveç stacionit të pompave që u rrezikua, zjarr pati në fshatrat Beltojë dhe Mali Hebe në njësinë Postribë ku u shpëtuan nga zjarrëfikëset 20 banesa në një zjarr në 100 hektar tokë.
Në fshatin Vukatanë të njësisë Guri Zi u shpëtuan 5 banesa, zjarri përfshiu 70 hektar ndërsa një tjetër vatër zjarri ishte në njësinë Ana e Malit ku sërish rrezikuan disa shtëpi banimi. Ajo që dyshohet është se këto zjarre janë të qëllimshme por mbetet e vështirë identifikimi i autorëve.
Comments are closed.