Sandër Lleshaj e pranoi sot se ajo që është më e sigurtë se gjithçka tjetër, është fakti se ai nuk do të jetë më ministër. Pa dhënë data e afate, ministri i Brendshëm, “krahu” i djathtë i kryeministrit për të shtypur me gaz lotsjellës protestat e opozitës, pranoi sot kokëulur se e pret shkarkimi, ose një “tranzicion” i butë.

“Asnjë nuk është i përhershëm në një post” tha sot Lleshaj, duke e lënë të hapur mundësinë e largimit nga Rendi për të kaluar në një dikaster tjetër. E këtu, Lleshaj nuk është i vetëm.

Portali “Ekskluzive.al” një media pranë kryeministrit Edi Rama, ka publikuar sot listën e ministrave që do të largohen nga kabineti, e atyre që do të marrin “fronet” e lakmuara

Ndryshimet në qeveri janë edhe shkaku i shtyrjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që ishte parashikuar për ditën e sotme. Kryeministri, thotë portali, kërkon që mbledhja të mos jetë online, dhe se Rama do të komunikojë ndryshimet në qeveri

Kështu, ministri i parë që pritet të largohet nga qeveria është Anila Denaj. Situata financiare e shtetit dhe ekonomisë, është në kolaps, dhe Rama kërkon që këtë detyrë tja besojë Arben Ahmetajt ose Elisa Spiropalit.

Largimi i dytë është Besa Shahini. Edhe pse jo surprizë, pas deklaratës së vetë Shahinit, që tha se do të largohej nga Shqipëria dhe nga ministria, sinjalet janë se në këtë post do të rikthehet Lindita Nikolla.

Edhe pse Rama i besoi qarkun e Lezhës, zërat janë se Nikolla do të rimarrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit

Një tjetër lëvizje e bujshme është hyrja në kabinet e Blerina Gjylametit. Deputetja e Kombinatit pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, duke “nxjerrë” në rrugë, Bledi Cucin, kritikat për të cilin nuk munguan në mbledhjen e grupit të PS

Shpresë ka edhe për Ilir Beqjen. Ish ministri i Shëndetësisë, do të marrë drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë, duke spostuar Ogerta Manastirliun.

Ndërkohë që lëvizja më interesante është ajo në dy dikasterët Rend-Mbrojtje. Në këto dy ministri pritet të ketë një shkëmbim karrigesh mes Olta Xhaçkës dhe Sandër Lleshajt

Lleshaj tha sot se “Asnjë nuk është i përhershëm në një post” duke lënë të kuptohet indirekt se për të, ky do të jetë tranzicioni i butë i largimit nga qeveria

Elva Margariti pritet që të largohet nga ministria e Kulturës, e të kalojë tek Ministria e Rindërtimit, në momentin që Ahmetaj do të drejtojë Financat

Ndërkohë që Gent Cakaj, pritet të dalë totalisht jashtë loje, pasi kryeministri pritet që të emërojë në detyrë një person me përvojë në çështjet e jashtme

Pikëpyetje e madhe është edhe për Pandeli Majkon tek Diaspora, apo Etilda Gjonajn tek Drejtësia, pavarësisht mbështjetjes ndërkombëtare për ministrinë e Drejtësisë.

Këto lëvizje që pritet të zyrtarizohen në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, nuk janë një ‘rrufe’ në qiell të hapur. Dosja.al ka raportuar prej javësh se kryeministri është i pakënaqur me shumë nga ministrat

Mbledhja e javës së shkuar në Elbasan, ku Rama mblodhi kryebashkiakët e ata u ankuan për ministrat, i ka vënë “vulë” planit të kryeministrit. Ai është i bindur për ti fshirë të gjithë ministrat e mandatit të dytë, duke pranuar kështu edhe dështimin.

Për të, historia e mandatit të parë, ka qenë historia e suksesit, e për këtë kërkon rikthimin e “gardianëve” të Partisë Socialiste. Mediat pranë PS dhe Ramës kanë shpërndarë shkrimin e portalit “ekskluzive.al” duke pasuar me fjalët se para zgjedhjeve, deputetë e ministra, skanë fytyrë tu dalin para votuesve, pasi shumë premtime nuk janë mbajtur