Ish-nënkryetarja e demokratëve Jozefina Topalli refuzoi komisionin e ngritur nga Lulzim Basha për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe në një intervistë për “Vizion Plus”, Topalli sqaron se nuk do t’i pranojë asnjëherë truket politike që përdor lidershipi i opozitës.

Kritikat e Topallit ndaj Bashës nuk datojnë sot, por prej vitit 2005 kur ai erdhi në PD, pasi sipas Topallit, Basha ka vënë interesin ekonomik mbi parimet politike

“Nuk bëjnë dot opozitë. Në momentin që blihet lidershipi i opozitës, nuk ka më opozitë. Po nëse implikohesh në interesa të përbashkëta me oligarkë dhe të blejnë, të dhurojmë qoftë edhe vila apo pallate në vende të bukura në Vlorë, në Tiranë në Durrës, në Lalz, në Hamallaj, sigurisht që ti s’bën dot opozitë. Nuk ka përçarës më të madh në historinë 30-vjeçare sesa rasti aktual i lidershipit të opozitës.

PD ka për detyrë të çlirohet nga pengmarrja. Një person që ka mbajtur karrigen e kryetarit të partisë dhe është filmuar se ka falsifikuar votat, nuk duhet të qëndrojë. Historia e tij është historia e një axhende ekonomike. Në një situatë të tillë, shumica e shqiptarëve nuk pajtohet, ndaj janë edhe pa alternativë. Tradhtia më e madhe që ka bërë është se e ka lënë vendin pa opozitë. Ka dezertuar nga detyra për të bërë betejë”, deklaron Topalli. Këtë vit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndërruar shtëpi. Tashmë, ai nuk jeton më në apartamentin e tij në katin e 12-të, pranë kullave afër stadiumit “Arena Kombëtare” por është zhvendosur kompleksin e vilave “Long Hill” në periferi të Tiranës.

Ky kompleks është ndërtuar nga biznesmeni Agron Papuli, i cili është akuzuar më herët nga PD-ja si oligark. Duke bërë një kërkim të thjeshtë tek agjencitë imobiliare, mësohet se një shtëpi në këtë zonë kushton mesatarisht 410 mijë euro, e ndërsa për ta marrë me qira kushton rreth 2.4 mijë euro në muaj. Vilat në këto zonë janë kryesisht dy katëshe, me pishinë dhe në këtë zonë jetojnë diplomatë, bankierë dhe personazhe të njohura të biznesit” tha Topalli.