Data 11 shtator është vendosur të mbahet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, me shtyrjen e disatë që i është bërë prej Qershorit. Ky është një forum ku ka zakonisht surpriza, dhe kryeministri Rama i njofton ndryshimet që bën, aty për aty, në mënyrë të beftë, dhe mendohet se askush nuk di asgjë.

Kështu ka ndodhur edhe më parë. Në Asamblenë e fundit, u mësuan emrat e rinj të sekretariatit. Edhe në Asamblenë e datës 11 Shtator pritet të ketë zhvillime në këtë drejtim. Por ndryshimet më me interes ngelen ato në qeveri.

Rama vetë ka disa ditë që lë të kuptohet se do të ketë lëvizje. Duke thënë se, të lodhurit do të ulen në stol, kryeministri i ka paraprirë asaj që mund të ndodhë sot. Po ashtu, edhe Ilir Beqaj u shpreh një ditë më parë, se ndryshimet në qeveri janë të mundshme.

Por cilët mund të jenë ministrat që rrezikojnë më shumë?

E vetmja llogjikë që vjen në këtë rast, është për të parë se cilat largime i sjellin Ramës më pak kosto. Po ashtu, llogjika e do që Kryeministri të heqë ata që janë më pak elektoralë. Dhe të hapë kësisoj rrugën për të kënaqur flukse të rëndësishme në kupolën e PS, ose për të motivuar të tjerë që janë lënë në hije.

Rama në fakt e ka gjysmën e ministrave pa karrierë politike, pa kontribut në PS, thjeshtë pjesë e oborrit të tij, dhe me heqjen e tyre nuk do të kishte kurrfarë pasojash.

Nisur nga këto rrethana, nuk është çudi që, më të rrezikuarit të jenë Ministrja e Drejtësisë, e Financave, ajo e Kulturës, apo edhe e Arsimit.