Është gjetur Tiani, vogëlushi nga Kosova, i cili kishte humbur në pyll dhe me historinë e tij, preku shumë shqiptarë kudo ku ndodhen. Lajmi është dhënë nga biznesmeni dhe politikani, Behgjet Pacolli, i cili shkruan në rrjetet sociale, se është Astrit Kryeziu, heroi që gjeti Tianin 2 vjeçar në pyll. “Momenti kur heroi i sotëm, Astrit Kryeziu, gjeti Tianin e vogël në pyll. Askush nuk duhet të gjykojë prindërit. Kjo mund ti ndodhë secilit!” shkruan Pacolli.

Tian Krasniqi, nga Tërpeza e Malishevës, u deklarua i humbur qysh dje nga familja e tij. Familjarët kërkuan ndihmën e qytetarëve për kërkime dhe për gjetjen e tij.

Policia, FSK ekipet e kërkimit të njësisë së zjarrfikësve dhe shpëtimit, e vullnetarë të shumtë u vunë në kërkim të vogëlushit, i cili për fat të mirë u gjet shëndoshë e mirë, pasi kishte kaluar natën fillikat i vetëm në mes të pyllit.

Ai humbi nga shtëpia e xhaxhait të tij, në një moment kur ishte duke luajtur me fëmijët e tjerë. Rasti solli një mobilizim mbarëkombëtar në Kosovë e jo vetëm, e për fat të mirë, ai ndodhet pranë familjes së tij.