Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se do të dyfishohet numri i testimeve për COVID19 si masë për të parandaluar përhapjen masive të virusit gjatë dimrit.
Duke filluar nga muaji Shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike” deklaroi znj. Manastirliu
Ministrja e Shëndetësisë bëri një deklaratë të tillë gjatë prezantimit të strategjisë për testimin, gjurmimin dhe rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe në bashkëpunim me privatin.
Po bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë, për tu përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë-dimër. Do të zgjerohen kapacitetet, me pajisje të reja. Jo vetëm do të rrisim kapacitetet në disa laboratorë publikë në vend, por edhe në bashkëpunim me sektorin jopublik” tha Manastirliu.
Gjithashtu duke filluar nga muaji shtator do të rriten me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren. Si dhe do të shtohet flota e dedikuar e Njësive Lëvizëse për hetimin epidemiologjik në terren.
Gjatë prezantimit të masave për vjeshtë-dimrin, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se, qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë financimin për të kryer vaksinimin falas të të gjithë grupeve të rrezikuara me disa herë.
“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2 – 5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas” deklaroi ministrja.
Për situatën aktuale znj Manastirliu tha se bilanci nuk mund të bëhet në mes të luftës.
Nëse shohim edhe situatën e dy javëve të fundit, Shqipëria është ndër vendet me numrin më të ulët të rasteve pozitive dhe të fataliteteve në rajon, por këto janë bilance që nuk duhen bërë në mes të luftës tha ajo.
Në fund, ministrja e Shëndetësisë ka vlerësuar mbështetjen e partnerëve të USAID dhe OBSH për sigurimin e 12 Njësive të Lëvizshme që i shtohen kapaciteteve aktuale për gjurmimin, testimin dhe hetimin epidemiologjik, për të frenuar përhapjen e COVID19
Comments are closed.