Nga Juxhin Mustafaraj
Një ditë pasi deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi u konfirmuan me covid-19, Parlamenti u mblodh sërish në seancë paraditen e sotme për të vijuar me miratimin e disa ligjeve.
ABC News vëzhgoi masat e marra nga ligjvënsit kur krahas pajisjes me maska konstatoi edhe një shkujdesje dhe grumbullim të deputetëve në lokalin e parlamentit.
Deputeti i opozitë, Halit Valteri kërkoi që atij dhe të gjithë kolegëve ti bëhet tamponi ndërkohë që ditën e enjte Kuvendi ka vendosur të mblidhet sërish për të votuar ndryshimet kushtetuese.
Një pjesë e deputetëve e kaluan hyrjen e Kuvendit me maskat e vendosura, ndërsa të tjerët u shfaqën më të shkujdesur në lokalin e Parlamentit.
Edhe pse në ambient të hapur disa prej deputetëve nuk e respektuar distancën nga kolegët e tyre, ndërsa ministrja e Shëndetësisë i qëndroi mesazhit të saj për kujdes të shtuar edhe kur ul përballë deputetes Blerina Gjylameti.
Disa prej ligjvënësve nuk e mohuan frikën, ndërsa të tjerë besojnë se kolegët nuk janë infektuar në Parlament.
“Normal që kemi frikë, është normale. Normalisht kemi ardhur se kemi akte për të kryer” tha deputetja Majlinda Halili.
“Frika është ndjenjë njerëzore por unë nuk kam” thotë një tjetër deputet.
“Ata që janë të infektuar nuk lejohen të futen, Institucioni ka marrë masat sipas ligjit dhe nuk është e nevojshme” u shpreh Ulqini.
Një protokoll me masa më të shtuara se zakonisht u zbatua në hyrje të sallës së seancave plenare, ku ligjvënësit u kontrolluan për temperaturën dhe u urdhëruan nga stafet shëndetësore të jenë të pajisur me maska.
Në ndryshim nga seancat e mëparshme, ligjvënësit iu përmbajtën më shumë rregullave, por pas infektimit të kolegëve, deputeti Halit Valteri beson se çdo përfaqësuesi të zgjedhur në Parlament duhet ti bëhet tampon.
“Për shkak të asaj çfarë ndodhi, tek kolegët tanë, që janë të sëmurë dhe të cilëve i urojmë shërim sa më të shpejtë do t’ju lutesha që pas ditës së enjte të gjithë deputetët ti nënshtrohen testimit, të bëjnë tamponin” tha Valteri.
Një ditë më parë deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi u konfirmuan me covid19 duke iu nënshtruar karantinimit të detyrueshëm 14 ditor