Vijojnë të regjistrohen shifra të larta viktimash dhe infektimesh nga koronavirusi në vend.

Ministria e Shëndetësisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 6 pacientë. Gjithashtu, janë regjistruar 67 raste të reja infektimi.

Deklarata e Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit.

I drejtohemi me një thirrje çdo qytetari: Tregoni kujdes çdo ditë me respektimin e rregullave.Shmangni grumbullimet. Ruani distancën me njeri-tjetrin. Përdoreni me patjetër maskën kudo në ambientet e mbyllura.

Fatkeqësisht 6 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Shefqet Ndroqi dhe në spitalin Infektiv:

Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID1 një 43 vjeçare dhe një 79 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçar nga Kruja, të tre të intubuar prej disa ditësh, me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi” një 62 vjeçar nga Pogradeci me sëmundje bashkëshoqëruese, një 56 vjeçar nga Kukës, dhe një 69 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 115 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 9 pacientë janë të intubuar.