Komisioni Evropian ka miratuar përdorimin e ilaçit Remdesivir, për trajtimin e COVID19
Ky është ilaçi i parë i miratuar në nivel të Bashkimit Evropian për trajtimin e koronavirusit.
Në deklaratën e KE thuhet se ky miratim, që u vendos me procedurë të përshpejtuar, vjen pas rekomandimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe pas miratimin nga vendet anëtare të BE
“Mbrojtja e shëndetit publik është një përparësi kryesore e KE-së, prandaj të dhënat për Remdesivirin janë vlerësuar në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër” thuhet në deklaratë
Komisionarja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, vlerësoi se miratimi është një hap i rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi.
“Kjo tregon qartë vendosmërinë e BE-së për të reaguar shpejt” tha Kyriakides
Remdesivir i përket një klase të ilaçeve të njohura si “zëvëndësim i nukleozidit” të cilat përdoren gjerësisht në trajtimin e kancereve, viruseve dhe infeksioneve të ndryshme.
Ende janë duke u bërë prova për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID19 por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike.
Më 1 maj, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e SHBA-së lëshoi me urgjencë lejen për përdorimin e ilaçit intravenoz për pacientët e shtruar në spital.
Dy ditë më parë Departamenti i Shëndetit në SHBA njoftoi se ka blerë pothuajse të gjithë rezervën që do të prodhohet në 3 muajt e ardhshëm të “Remdesivir” / Opinion.al
Comments are closed.