Duke vendosur theksin tek rëndësia e zbatimit të masave dhe protokolleve në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë përballë virusit.

Ajo tha se vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARSCOV2 ‘Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë’

Fjala e Manastirliut: Dua të vlerësoj që në fillim punën e stafeve mjekësore, të epidemiologëve, urgjencës kombëtare dhe të gjithë strukturave të shëndetësisë, që vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, gjithashtu dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar se do të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin e secilit prej jush në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor

Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Strukturat e TaskForcës antiCovid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.

Të dashur qytetarë,
Sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjsimit të çdonjerit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjenës personale.

Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S’duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetesor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë.