Qytetarët prej afro 2 javësh i janë kthyer jetës normale. Nuk ka më kufizime apo zona të kuqe. Çdokush mund të lëvizë lirshëm, punojë, drekojë jashtë, apo të ushtrojë aktivitete fizike. Askush nuk i druhet më grumbullimeve apo të respektojë masat për COVID-19. Në pamje të parë gjithçka duket si më parë, kur koronavirusi nuk ekzistonte. Shqiptarët nuk e kanë më “frikë” këtë virus, që deri dje i mbylli për 2 muaj në shtëpi.

Por çfarë po ndodh ndërkohë?

Ministria e Shëndetësisë raporton për dhjetëra të infektuar çdo ditë. Numri rritet, e bashkë me edhe ai i të shëruarve. Fatmirësisht numri i viktimave është rritur pak. Ajo që është vënë re kohët e fundit është se fasonerive, që deri dje ishin cilësuar si vatra “të nxehta” infeksioni, vendin u kanë “zënë” insitucionet shëndetësore, por jo vetëm. Më poshtë po iu rendit rastet që vërtetojë se në institucionet e vendit ka dhjetëra të infektuar e shumë të tjerëve u janë marrë tamponët.

Qendra Shëndetësore nr 9 dhe spitalet private: Edhe vetëm ministria e Shëndetësisë e ka pranuar mes të infektuarve të fundit ka personel shëndetësor, por ka qenë e rezervuar për të dhënë detaje. Ndërkohë Dosja.al ka hulmtuar rreth kësaj çështje dhe pak ditë më parë zbuloi se vetëm në qendrën shëndetësore numër 9 në Tiranë janë të infektuar 6 mjekë dhe infermierë. Sakaq është infektuar edhe një punonjës i Klinikës së Specialiteteve numër 2 dhe 1 është punonjës i një spitali privat. Gjithashtu, po të njëjtat burime bëjnë me dije se 2 punonjës administrate, një në shtet dhe një në privat janë të infektuar. Ndërsa zonat më “të nxehta” të Tiranës janë: Astir, Rr. Kavajës, Vasil Shanto, Kamëz, pranë mozaikut të Tiranës, ish-stacioni Trenit, Komuna e Parisit, Brryli, Babrru, Tiranë E Re, hotel Mondial, Don Bosko, Vaqarr, rr.Andon Z. Cajupi, rr.Elbasanit, rr. Kastriotët, pranë Policisë Bashkiake.

Drejtoria e Shëndetit Publik në Krujë: Më 3 qershor rezultoi e prekur nga COVID-19 një punonjëse e Shëndetit Publik në Krujë, e cila është u infektua duke marrë tamponët tek pacientët. Pasi ajo u konstatua me koronavirus është karantinuar bashkëshorti i saj mjek, ndërsa testi i parë i tij doli negativ.

Kadastra Durrës: Ky insitucion është një vatër e “nxehtë” infeksoni. Dy ditë më parë u prekën nga virusi, sportelista e këtij institucioni dhe një specialiste sektori. Ndërkohë më 1 qershor Dosja.al raportoi se ishin infektuar dy punonjës, një sporteliste me iniciale K.Gj dhe kushëriri i saj, me inicale L.Gj, punonjës terreni. Të infektuar rezultuan edhe familjarët e tyre. Ndërkohë janë karantinuar kolegët e tyre.

Spitali Durrës: Në këtë spital është i infektuar mejku i njohur, Beqir Gelaj. Dyshohet se shkak i infektimit për herë të dytë i mjekut këtë është bërë vajza e tij, mjeke në QSUT.

Qendra spitalore universitare në Tiranë: Më 27 maj një infermerie në QSUT rezultoi e prekur nga COVID-19 dhe infektoi dhjetëra kolegë dhe pacientë të saj. Pëllumb Pipero deklaroi se vetë, infermierja infektoi 13 kolegë të saj. Më 28 maj Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë. Ndërsa më 1 qershor burime për Dosja.al bënë me dije se ka rezultuar i infektuar edhe një mjek kardiolog, i cili punon në shërbimin e sëmundjeve të brendshme në QSUT.

Institucionet e rëndësishme në Tiranë: Burime të afërta pranë këtyre instucioneve kanë bërë me dije për Dosja.al se ka të infektuar në këto institucione. Madje zyrtarët e lartë, apo emrat publikë i kanë bërë në fshehtësi tamponët dhe nuk dëshirojnë të bëjnë publike rastet e tyre. Në shumë raste edhe vetë ministria e Shëndetësisë nuk është zyrtarisht në djeni, pasi testet kryen në fshehtësi.

Siç edhe shihet për këto raste, MSH ka dhënë shumë pak detaje për rastet, ose mund të themi më mirë, aspak. Pse ministria e Shëndetësisë “mbyll” gojën, ndërkohë që duhet të jetë transparente me publikun? Si kryen tamponët në fshehtësi dhe a duhet të nisë një hetim për këtë çështje? Publikut nuk i interesojnë emrat e përveçëm, por vatrat e infeksionet duhet të bëhen publike, pasi në këtë mënyrë mund të parandalohet përhapja e virusit. MSH deklaron se vijojnë hetimet epidemiologjike, por për rastet e mësiperme nuk dihet asgjë. A mos ndoshta në këtë situatë janë shumë të nevojshme testimet masive? Ndërkohë, specialistët theksojnë se situata është nën kontroll. Koha do ta tregojë edhe këtë….