Rikthimi në normalitet i biznesit është më i lehtë për tu thënë se për tu bërë. Vërtet që pas 15 majit janë lehtësuar disi masat anti COVID të ndërmarra nga qeveria, por motorët e ekonomisë nuk mund të vihen përpara me shpejtësinë që u mbyllën. Periudha e rikuperimit do të jetë e gjatë. Parashikimet e vetë protagonistëve të bizneseve deklarojnë se rikthimi i tyre te gjendja normale do të jetë deri në një vit.
Gjatë kësaj kohe, biznesi vazhdon të kërkojë nga qeveria afate më të qarta në hapjen e vendit, lehtësim të pagesave të sigurimeve shoqërore me këste, zgjatje të afatit të ristrukturimit të kredive dhe ridimensionim të zhvillimit të tenderëve publikë, për të futur në punë prodhimin vendas dhe për të mbrojtur me dhjetëra ndërmarrje shqiptare. Situata bëhet edhe më e paqartë nëse do të shohim se çfarë e pret vendin në muajt tetor-nëntor, kur askush nuk thotë dot se nuk do të rikthehen masat shtrënguese për shkak të situatës me virusin.
Problem i madh mbetet sektori i fasonëve dhe sidomos i atyre kompanive që punojnë me porosi të veshjeve të modës, pasi stoku i krijuar, pasiguria dhe mungesa e likuiditetit nga partnerët porositës të këtij produkti, shkakton kaos financiar te procesi i menaxhimit të planeve për të ardhmen të këtyre kompanive.
ULET PRODHIMI DHE EKSPORTI I NAFTËS
Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, për shkak të mungesës së shitjeve dhe depozitimit të produktit në muajin prill, dhe në 15 ditët e para të muajit maj, pati ndërprerje totale të punës, pra prodhimi ishte zero. Ndalja e prodhimit të kompanisë u reflektua edhe tek eksportet për muajin prill. Sipas të dhënave të INSTAT, rënia e eksporteve për grupin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” ishin 57%. Si vlerë, për këtë grup, eksportet e prill 2020 janë 1,7 miliardë lekë, nga 3,9 miliardë lekë në 2019, pra rënie drastike mbi 50%.
Kompania Bankers Petroleum thotë se para ndërprerjes totale të punës, në muajin mars, prodhimi ka vijuar normalisht, pra ishte 14 mijë fuçi/ditë apo 434 mijë fuçi në muaj. “Në muajin prill deri në 15 ditët e para të muajit maj pati ndërprerje totale të punës, prodhimi ishte zero. Puna rinisi në mesin e muajit maj me ritme të lehta, ndërsa pritet që në fund të muajit, kompania të nisë edhe eksportin” shpjegon kompania. Në vitin 2019, kompania prodhoi 885,692 tonë naftë duke zënë 88% të totalit të prodhimit vendas.
Ndërprerja e punës për një muaj e gjysmë e Bankers Petroleum do të sjellë efekte negative dhe në të ardhurat e buxhetit, pasi detyrimet vjetore të kompanisë për rentë minerare llogariten rreth 25 milionë dollarë, ku për muajin prill do të jenë 3 milionë dollarë rentë të munguara, pa llogaritur akcizën, TVSH-në.
Edhe kompania shtetërore e naftës Albpetrol pritet së shpejti të rinisë punën dhe shitjet e prodhimit të naftës. Kompania Albpetrol pritet në fund të muajit të rihapë tenderin e shitjes së naftës. Burime nga Ministria e Energjetikës konfirmojnë se sasia e shitjeve do të rishikohet.
Bie konsumi i karburanteve
Edhe konsumi i karburanteve në vend rezulton me ulje në mars e prill. Importet e karburanteve u rritën me 6.8% për 4-mujorin, me bazë vjetore. Por, kjo rritje ka ardhur si rrjedhojë e furnizimeve të larta në dy muajt e parë të vitit. Në mars dhe prill, importet ranë përkatësisht me 13% dhe 15% në raport me muajt përkatës të një viti më parë. Operatorët pohojnë se për shkak të konsumit të ulët, kanë krijuar rezerva të mëdha.
Në të njëjtën kohë, askush nuk di të thotë se kur do të hapet përfundimisht vendi ndaj turistëve të huaj, ndaj rikthimit masiv të emigrantëve shqiptarë që ndodh zakonisht në muajin gusht e kështu me radhë dhe kjo krijon dizavantazhe të mëdha për sektorë si ai i karburanteve. Në një periudhë normale, konsumi gjatë muajve të verës qershor-korrik-gusht përfaqëson rreth 70% të shitjeve të karburantit nga pikat e pakicës, ndërsa ky sektor ka rënie me 50% të kapacitetit shitës që përveçse dëm i madh financiar në xhepat e punonjësve dhe gjithë zinxhirit të biznesit të këtij lloji shkakton edhe dëm në buxhetin e shtetit prej fitimit të munguar.
“Shitjet prej disa ditësh kanë qenë 50%, ku priten deri në fundjavë të arrijnë deri në 55% nga 10% që ishin në periudhën e karantinës. Trendi është i njëjtë për të gjitha kompanitë. Pavarësisht se ka një hapje graduale të lëvizjeve të qytetarëve, kufizimi i lëvizjeve nga njëri qark në tjetrin apo edhe jashtë vendit ka ndikuar tek ulja e shitjeve. Po ashtu, transporti publik vazhdon të jetë i mbyllur, i cili është një konsumator i madh i karburantit.
Por nëse nuk hapen kufijtë, të lëvizin qytetarët apo të vijnë të ardhurit të cilët konsumojnë 25-30% të karburantit, shitjet do të vazhdojnë të jenë të ulëta. Periudha më e madhe e konsumit të karburanteve është në muajt qershor-korrik-gusht. Në këtë periudhë 3 mujore, shitet karburant sa 60-70% të sasisë që shitet gjithë vitin. Është ende e paqartë se kur do të hapen kufijtë, kur do të nisë lëvizja e emigrantëve” shpjegon Luigj Aliaj, i Shoqatës të Hidrokarbureve për shitjet me pakicë të karburanteve.
Përfaqësuesi i Shoqatës të Hidrokarbureve pohon se nëse do të hapen kufijtë, do të fillojnë të vijnë turistët dhe emigrantët dhe situata do të rikuperohet. Në total, konsumi i karburanteve vetëm nga automjetet në vend llogaritet 500 mijë tonë në vit. “Deri tani, më 2 muaj e gjysmë karantinë nga ulja e shitjeve kanë humbur rreth 100 mijë tonë karburante. Efektet pritet të reflektohen edhe në buxhet për shkak të të ardhurave të munguara” thotë Aliaj.
PRODHIMI I HEKURIT DHE ÇELIKUT VUAN MUNGESËN E INVESTIMEVE
Kompania Kurum, më e madhja në vend e prodhimit të hekurit dhe çelikut deri në muajin korrik, parashikon rënie të prodhimit. Arif Shkalla, drejtor i Financës i kompanisë, shpjegon se arsyet e uljes së prodhimit janë për shkak të rënies së kërkesës dhe investimeve, si dhe inventarëve me sasi të lartë stoku të mallit të pashitur.
“Pritshmëritë janë që edhe në muajin qershor dhe korrik nuk do të ketë punë, do të ketë një frenim për shkak të rënies të investimeve në çdo vend. Ende nuk ka ndonjë lëvizje pozitive, kontrata të mëdha, klientët janë treguar të gjithë të rezervuar.
Jemi në negociata me bankat për të shtyrë ristrukturimin e kredive përtej afatit prej 31 majit, pasi pritet që ky vit të jetë i vështirë. Nëse në muajt në vijim, kërkesa do të rritet, do të rikthehemi në kapacitet të plotë prodhimi.”
Kurum rinisi punën më 16 prill, pas mbylljes disajavore të fabrikës në muajin mars, por prodhimi është ulur dhe shitjet janë përgjysmuar. “Në muajin maj ka pasur pak përmirësim në krahasim me muajt mars dhe prill. Për periudhën mars-prill, eksportet patën rënie drastike, tashmë kanë filluar, por janë sa gjysma e vitit të kaluar. Kanë filluar lëvizjet me Maqedoninë dhe Kosovën, por jo në nivelet që ne presim apo në ato nivele të vitit të kaluar. Aktualisht jemi me 50-60% të shitjeve që kemi pasur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi ka rënë për disa arsye, siç është rënia e kërkesës pasi nuk mund të prodhojmë nëse nuk kemi shitje. Stoqet janë në nivelin maksimal të inventarëve, janë ende të fryra dhe për këtë kemi ulur ritmet e prodhimit”
Zoti Shkalla shpjegon edhe ndikimet që po jep rënia e çmimeve në bursa. “Tregu është në pasiguri dhe nuk po kryhen kontrata të mëdha, por bëhen kontrata shumë më të vogla, me afate më të shkurtra, pasi tregtarët kanë frikë luhatjen e çmimeve”
Kompania aktualisht po punon 12 orë, pra me një turn e gjysmë. “Ne po punojmë 12 orë, me gjysmë-turnesh, si dhe kemi ulur numrin e punonjësve për shkak të përgjysmimit të turnit. Punonjësit kanë shfrytëzuar ditët e lejes, po punojnë një turn, turni tjetër qëndron pushim, punon një herë në dy ditë për të respektuar masat kundër COVID-19. Një arsye tjetër është për shkak të respektimit të masave dhe jo të gjithë punonjësit janë nxjerrë në punë, po ashtu janë paraqitur vështirësi dhe në transportin e tyre” shpjegon zoti Shkalla.
EFEKTET E KRIZËS TE KËPUCËT DHE VESHJET E MODËS
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve për muajt janar–prill të këtij viti shënuan rënie në krahasim me 2019. Sipas të dhënave të INSTAT në 4-mujorin e 2020 u eksportuan si vlerë 30,5 miliardë tekstile dhe këpucë.
Në krahasim me 2019, eksportet shënuan rënie, ku si 4-mujor vlera e tyre ishte 41,2 miliardë lekë. Efektet e eksporteve janë më të lartë në muajin prill, ku vendi ishte në karantinë të plotë. Për muajin prill 2020, eksporti i mallrave për grupin tekstile dhe këpucë është 4,8 miliardë lekë nga 10,2 miliardë lekë për prillin 2019, pra rënie mbi 50%
Skënder Pashaj, administrator i fabrikës së këpucëve “Fital”, thotë se humbjet për 3 muajt, mars-prill-maj, janë të larta. Tre janë arsyet kryesore të humbjeve të shkaktuara, sipas tij, ecuria e punës me ritme shumë të ngadalta, moskryerja e pagesave nga porositësit dhe krijimi i stoqeve në magazinë, pasi për shkak të mungesës të tregut, klientët refuzojnë të tërheqin prodhimin e porositur
“Duke përfshirë edhe mungesën e pagesave nga porositësit humbjet për periudhën mars-prill-maj llogariten deri në 700 mijë euro. Arsyet e humbjeve janë puna që kryhet me ritme shumë të ulëta, moskryerja e pagesave, si dhe nga mostërheqja e këpucëve të prodhuara nga porositësit, pasi nuk shiteshin. Për muajin janar, unë u kam dërguar klientëve të mi 2 milionë euro mall, po sa prej tyre do të shiten në një kohë që kërkesa është e ulët, fuqia blerëse do të bjerë pasi qytetarët nuk kanë buxhet, ndërsa magazinimi i mallit është i lartë?”
Zoti Pashaj pohon se, pavarësisht se gjatë karantinës nuk ka pasur mbyllje totale të punës, për kthimin në normalitet po hasen shumë vështirësi. Pavarësisht se më 25 maj, puna në fabrikë pritet të rinisë me kapacitet të plotë të fuqisë punëtore, administratori ngre shqetësimin e mallit stok, që është krijuar në magazinë dhe 30% e tij nuk do të tërhiqen për këtë vit nga porositësit.
“Jam munduar të mbaj punonjësit në punë, me qëllim që asnjë prej tyre të mos mbetej pa të ardhura. Më 25 maj, puna në ndërmarrje nis me kapacitet të plotë, por problem shumë i madh mbeten pagesat nga klientët, nuk dihet se çfarë do të bëhet me to. Shumë mall që kemi në magazinë nuk do të tërhiqet. Parashikoj që nga 60 mijë palë këpucë, që ndodhen në magazinë, 1/3 e tyre nuk do të mund të tërhiqen fare. Janë mallrat e sezonit të verës dhe porositësit thonë se do t’i tërheqin vitin tjetër, pasi nuk ka treg se ku mund të shiten
Saimir Bidaj, themelues i ProEskport Albania, sqaron se kriza do të ndihet më shumë te kompanitë fason që prodhojnë veshje të modës për tregun e huaj. Edhe zoti Bidaj thotë se arsyet e efekteve negative janë për shkak të prodhimit të bllokuar, pezullimi i kontratave dhe vonesave në pagesa. Sipas tij, shitjet për veshjet e lira do të ulen, pasi konsumatorët do të shfaqin tendencën e kursimit.
“Puna jonë varet nga tregu i huaj dhe jo nga efektet e brendshme. Pasiguria që krijohet për të ardhmen është nëse fabrikat jashtë vendit do të mbyllen, dyqanet do të falimentojnë, blerësit do të blejnë më pas kjo situatë do të reflektojë edhe te ne. Për momentin, goditja më e madhe është te ndërmarrjet që punojnë me veshje të modës, sepse kanë mall të bllokuar, kontrata të pezulluara dhe vonesë pagesash, pasi partnerët e huaj kanë probleme me likuiditetet.
Mendoj se problematika më e madhe do të jetë për produktet e mesme dhe të lira, pasi prodhuesit e veshjeve të shtrenjta e kapërcejnë më lehtë krizën. Por situata është ende amorfe dhe nuk duket ende trendi i blerjeve, por logjika të çon që të gjithë do të pësojnë goditje, pasi ekonomia është zinxhir dhe kur një sektor goditet prek edhe sektorë të tjerë” pohon Bidaj.
Parashikimet për ecurinë e aktivitetit të prodhimit të këpucëve nuk janë optimiste. Administratori i kompanisë “Fital” thotë se 3-mujori i fundit të këtij viti dhe 3-mujori i parë i 2021 do të jenë shumë të vështirë, ndërsa prodhimi për këpucët e sezonit do të ulet 20-30%. “Deri në fund të muajit tetor do të kemi punë, por jo siç ka qenë më përpara. Nëse ne prodhonim 700 mijë deri në 800 mijë palë këpucë për sezonin, parashikojmë që aktualisht prodhimi të jetë 500 mijë deri në 550 mijë palë në sezon, pra ulja e prodhimit do të jetë 30%. Por problemi më i madh do të jetë pas muajit tetor, nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Urdhrat që ishin porositur po anulohen dhe për periudhën nëntor-mars ne prodhojmë për verën e vitit 2021. Ndërkohë që porositësit kanë lënë këpucë ende pa tërhequr
Edhe Saimir Bidaj, pronar i kompanisë “Arisa Konfeksion” i specializuar për prodhimin të veshjeve për punë thotë se prodhimi për disa linja, nuk është e garantuar në 3 muajt në vazhdim. “Kompania jonë është e specializuar për prodhimin e veshjeve të punës, ushtarake, të policisë dhe mjekësore. Janë fusha të cilat nuk janë prekur nga kriza, siç ka ndodhur me veshjet e modës. Një linjë për të cilën po punojmë është për veshjet ushtarake të ushtrisë gjermane, por nuk ka garanci për vazhdimin e punës për linjat e tjera, apo as për 2-3 muajt e ardhshëm.
Si do ti mbijetojnë krizës fasonët
Pandemia e COVID19 ka nxjerrë në pah dobësinë e madhe të sektorit fason në vendin tonë, ku shumica e kompanive nuk punojnë me cikël të mbyllur prodhimi.
Karakteristikë e sektorit është varësia e lartë nga Italia, ku 72% e totalit të eksporteve të tekstileve dhe këpucëve, për muajt janar prill 2020, sipas INSTAT shkuan drejt shtetit fqinj dhe 10% në Gjermani.
Tekstilet e këpucët janë grupmalli kryesor i eksportuar në vend, me rreth 39% të totalit. Tendenca e tyre ka qenë në rritje të fortë, përveçse në 2019, kur u goditën nga zhvlerësimi i euros. Kjo do të thotë që industria e tekstileve dhe e këpucëve është ndikuar shumë nga kriza e madhe pas COVID 19 në shtetin fqinj. Fakti që pjesa më e madhe e sektorit (sidomos tekstilet) nuk e ka mbyllur ciklin, po kryejnë vetëm disa procese, kryesisht pret-qep-hekuros, e bën të vështirë diversifikimin në shtete të tjera.
Strategjia që ata pritet të ndjekin për të vazhduar punën do të jetë në varësi të projekteve për mbijetesë që do tu servirin porositësit e tyre. Humbjet e sektorit parashikohen të jenë të konsiderueshme, për shkak të përgjysmimit të shitjeve të veshmbathjeve dhe kostos së lartë që po krijon malli stok. “Fillimisht me hapjen e kufijve do të takoj personalisht klientët e mi në Gjermani, Francë dhe Itali për të parë se çfarë projektesh mund të zbatojmë për të mbijetuar. Parashikoj që shitjet e veshmbathjeve të shkojnë në nivele 55%, si dhe frika më e madhe e madhe është e mallit që kemi stok në magazina, të cilat do të dalin në treg me çmim shumë të ulët, pasi 3 muaj dyqanet kanë qenë të mbyllur”, pohon zoti Pashaj.
Saimir Bidaj propozon si alternativë kryesore për ti mbijetuar situatës shfrytëzimin e të gjitha resurseve të brendshme. Përfaqësuesi i “ProEksport Albania” thotë se qeveria, ashtu siç përfshiu ndërmarrjet fason vendase për prodhimin e veshjeve mjekësore dhe maskave, duhet tu mundësojë atyre pjesëmarrje edhe te tenderët e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve.
“Shteti duhet të ndjekë një politikë në ndihmë të biznesit vendas. Pse tenderin e prodhimit të veshjeve të policisë ta marrë një kompani p.sh., e huaj, kur ne jemi në gjendje të prodhojmë këto veshje, pasi i prodhojmë për Gjermaninë e vende të tjera perëndimore”
Për shkak të situatës, sipas zotit Bidaj, është i domosdoshëm ridimensionimi i tyre, duke i përshtatur në lote me vlera financiare më të vogla, për t’u ardhur në ndihmë kompanive vendase. “Në këtë situatë tenderët duhet të ridimensionohen në të gjitha fushat. Tenderi mund të ndahej në lote më të vogla financiare, edhe sipas artikujve që do të prodhohen me nevojën dhe kapacitetet e biznesit vendas
Tenderi për prodhimin e veshjeve të policisë është me vlerë 25 milionë euro dhe faza e dytë u bë më 11 maj. Nga ne është ngritur problemi për rishikimin e këtij tenderi, pasi u krye faza e parë, por shqetësimi nuk u mor në konsideratë. Pra ky tender duhej të ridimensionohej, pasi aty mund të përfshiheshin 25 kompani fason vendase, pra kjo gjë vendos në punë kompanitë vendase”, pohon zoti Bidaj.
Pjesëmarrja në tender është e hapur, sipas tij, por ka vështirësi menaxhimi nga një kompani e vetme shqiptare, pasi artikujt që do të prodhohen janë të shumtë, që përfshijnë këpucë, veshje, grada, jelekë antiplumb dhe kjo sjell që të përfshihen kompanitë e huaja. “Kjo praktikë që një kompani e vetme të marrë të prodhojë disa lloje veshjesh nuk haset në asnjë nga vendet ku punoj, siç është Gjermania dhe Italia
Sektori i tekstileve dhe lëkurë-këpucëve është mjaft i rëndësishëm për punësimin, sidomos mes shtresave të varfra, me rreth 68 mijë të punësuar në vitin 2019 dhe 60,021 të punësuar në vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT. Sektori ka avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Por me krizën aktuale që shpërtheu në rang global dhe në mënyrë të veçantë në Itali, kompanitë fason të veshjeve dhe këpucëve për muajin prill hasën vështirësi financiare për pagesat e punonjësve
“Për shkak të frikës për infektim, më shumë se 200 punonjës nuk janë paraqitur në punë dhe deri më 30 mars janë munduar të mbaj shumë prej tyre në punë. Të gjithë punonjësit që janë larguar nga puna para datës 10 prill janë paguar 40,000 lekë me paketën e dytë financiare. Në kompaninë time, 315 punonjës kanë përfituar “pagën e luftës” dhe shumica e përfituesve të këtij bonusi janë punonjës që nuk u paraqitën në punë për shkak të frikës dhe për këtë arsye u detyrova ti hiqja nga puna. Punonjësit e larguar kam nisur t’i marr të gjithë në punë, ndërsa 30 prej tyre nuk janë paraqitur” shpjegon zoti Pashaj administrator i kompanisë së prodhimit të këpucëve “Fital / monitor.al