Lojtarët pranojnë kompromisin. Dje nga stërvitja, menjëherë në Vlorë. Pas kërcënimit të ekipit për një tjetër bojkot, menjëherë Bashkia e Shkodrës është vënë në lëvizje për të shmangur një situatë të pakëndshme para ndeshjes së javës së 27 të, asaj që kanë sot në Vlorë ndaj Flamurtarit.
Klubi përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar menjëherë që në mëngjesin e djeshëm, duke sqaruar se do të respektojë të gjitha detyrimet. Për t’i paraprirë ndonjë lëvizjeje të radhës të vetë lojtarëve mësohet se ka qenë vetë numri një i Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, që ka bërë një telefonatë bindëse.
“Panorama Sport” zbulon se kryetarja ka kontaktuar me kapitenin Gilman Lika dhe ku në emër të saj u ka premtuar lojtarëve që ashtu siç ishte lënë, pagat kanë kaluar në bankë, por për disa procedura bankare ato (paratë) do të kalojnë në llogaritë e lojtarëve gjatë ditës së sotme.
Mësohet se bëhet fjalë për të marrë fillimisht pagën e muajit shkurt. Kjo ka bërë që lojtarët të marrin garancinë e duhur dhe dje në orën 14:00 kanë zbritur në fushën e stërvitjes. Menjëherë pas stërvitjes skuadra ka udhëtuar në drejtim të Vlorës.