Çështja e mbledhjes së Asmablesë të Vllaznia sh.a është kthyer në një përplasje ligjore mes këshillit bashkiak të Shkodrës që ka funksionin e Asamblesë të Vllaznia sh.a dhe kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Kryebashkiakja në 1 qershor të këtij viti i është drejtuar Agjencisë të Mbështetjes të Vetëqeverisjes Vendore për një interpretim ligjor
duke pretenduar se miratimi i Këshillit Mbikqyrës nga ana e asamblesë të Vllaznia sh.a është kundër ligjeve në fuqi. Kryebashkiakja Ademi në shkresën dërguar Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore pretendon se Këshilli Bashkiak që ka funksionin e Asamblesë të Vllaznia sh.a ka tejkaluar kompetencën e tij. “Star Plus Televizion” ka arritur të sigurojë këtë shkresë zyrtare në të cilën thuhet se:
“Unë, Kryetare Bashkisë së Shkodrës i jam drejtuar Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore, duke kërkuar konsulencën lidhur me zbatimin dhe interpretimin e saktë të akteve ligjore për administrimin e shoqërive aksioneve në pronësi 100% dhe administrim të Bashkisë Shkodër. Ekspertët pranë kësaj agjencie, në takimet e organizuar për këtë qëllim kanë referuar dhe kanë kërkuar zbatueshmërinë e saktë të ligjit 139/2015
“Për vetëqeverisjen vendore” dhe ligjit 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Ata kanë sjellë shembuj të administrimit të shumë shoqërive aksione në bashki të tjera të Shqipërisë ku pronar është 100% pushteti vendor. Në mbledhjen e datës 29 maj 2020, Këshilli Bashkiak ka tejkaluar kompetencën e tij, duke marrë vendime që janë në kundështim me ligjet më sipër.
Në zbatimë ligjit, kërkoj nga ana juaj, reflektimin dhe kthimin në ligjshmëri në administrimin vendor dhe posaçërisht të administrimit të shoqëri aksionere ku bashkia është pronare me 100% dhe i administron vetë ato”
Përmes kësaj shkrese kryetarja e bashkisë Shkodër Ademi i kërkon një interpretim ligjor si dhe pretendon që Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore t’i japë të drejtë kryebashkiakes për të drejtën e emërimit të Këshillit Mbikqyrës të Vllaznia sh.a. Në fakt mandati i Këshillit Mbikqyrës ka mbaruar që në dhjetor të 2018-ës dhe që atëherë kryebashkiakja nuk ka emëruar Këshilin e ri Mbikqyrës
Në këto kushte Asambleja e Vllaznia sh.a vendosi ta zgjedh vetë Këshillin Mbikqyrës të Vllaznia sh.a në mbledhjen e 29 majit. Në rast se Agjencia që Ademi iu drejtua me një shkresë i jep të drejtë kryebashkiakes atëherë Asambleja e Vllaznia sh.a është e gatshme që ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Administrative duke vijuar këtë përplasje ligjore
/star plus/