Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: I.
Në tekstin “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, që i bashkëlidhet vendimit nr.171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, pas nenit 13 shtohet neni 14, me këtë përmbajtje: “Neni 14
1. Përjashtimisht, për vitin 2020, në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, hapja e sezonit turistik si dhe dokumentacioni, procedura e miratimit, monitorimi për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi bëhen sipas parashikimeve të këtij neni.
2. Afati i sezonit turistik, për vitin 2020, do të jetë nga data 1 qershor deri më 15 nëntor 2020.
3. Për mbarëvajtjen dhe monitorimin e veprimtarisë së sezonit turistik ngrihet Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMST), që kryesohet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit dhe, në përbërje të tij, ka përfaqësues të nivelit të lartë nga: a) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; b) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; c) Ministria e Mbrojtjes; ç) Ministria e Brendshme; d) Ministria e Kulturës; dh) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Sipas rastit, Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik mund të këshillohet me përfaqësues të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore, ekspertë të fushës së turizmit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
4. Detyrat e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik janë: a) miratimi i hartës së stacioneve të plazheve si dhe plazheve publike, të cilat pajisen me një numër të veçantë identifikues, që publikohet në momentin e hapjes së aplikimit on-line, sipas listës së plazheve bashkëlidhur në shtojcën 6, të kësaj rregulloreje; b) monitorimi i mbarëvajtjes së sezonit turistik 2020, si dhe koordinimi ndërinstitucional për respektimin e masave në kuadër të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19
5. Si autoritet i përkohshëm për shqyrtimin e aplikimeve për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi ngrihet grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA), i cili kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, i përbërë nga 2 (dy) anëtarë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe 2 (dy) anëtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
6. Mënyra e organizmit dhe e funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMTS) dhe e grupit teknik të shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA) miratohet me urdhër të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit
7. Përzgjedhja e subjekteve për lidhjen e kontratave për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazheve bëhet sipas prioritetit të mëposhtëm: a) Subjekti të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, me hapësirë plazhi para strukturës akomoduese; b) Subjekti të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, në afërsi me stacionin e plazhit; c) Në rast se nuk ka strukturë akomoduese apo interes nga strukturat akomoduese si më sipër, subjekti të disponojë një strukturë shërbimi me kapacitet mbi 20 tavolina dhe të ketë hapësirë plazhi para strukturës.
8. Aplikimi për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi bëhet nëpërmjet sistemit on-line eAlbania, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hapja e aplikimit, sipas njoftimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Fletorja Zyrtare Viti 2020 – Numri 100 Faqe|5750
9. Plotësimi i kërkesës së aplikimit, sipas formatit standard on-line dhe numrit identifikues përkatës të stacionit të plazhit, shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: a) Planin e operimit për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, i cili duhet të përmbajë: i. sipërfaqen e kërkuar për përdorim (m2), brenda parcelës së përcaktuar, sipas numrit të veçantë identifikues; ii. numrin e çadrave dhe të shezlloneve të llogaritura në përputhje me sipërfaqen e kërkuar; iii. masat që do të ndërmerren për respektimin e kushteve e të kritereve të higjienës. b) Foto të strukturës akomoduese/të shërbimit, si dhe foto të qarta të hapësirës së plazhit për të cilën aplikon.
10. Grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA) ndjek procedurën e mëposhtme: a) Shqyrtimi i aplikimeve bëhet brenda 2 (dy) ditëve dhe, në rast se konstatohet mungesë dokumentacioni, grupi teknik njofton menjëherë aplikuesin për plotësimin e tyre brenda 3 (tri) ditëve; b) Në rast subjekti plotëson kriteret sipas pikës 6, të këtij neni, dhe dokumentacioni rezulton i plotë, grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA) njofton menjëherë subjektin dhe njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore, për kualifikimin paraprak, me qëllim vijimin e procedurave të mëtejshme, brenda 5 (pesë) ditëve, si më poshtë vijon: i. Negociimi ndërmjet subjektit dhe njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore mbi sipërfaqen konkrete që do t’i jepet në përdorim subjektit të kualifikuar për përdorimin si stacion plazhi; ii. Gjenerimi i faturës nga njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore për kryerjen e pagesës së tarifës për sipërfaqen konkrete të negociuar më sipër; iii. Kryerja dhe ngarkimi në sistemin on-line nga subjekti i vërtetimit të pagesës, i kryer në llogari të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore, në përputhje me tarifat e miratuara, për sipërfaqen e negociuar si më sipër; iv. Depozitimi i formularit të vetëdeklarimit se subjekti është njohur me kushtet, kriteret dhe kërkesat për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit dhe mban përgjegjësi të plotë për plotësimin dhe zbatimin e masave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, sipas shtojcës 7, të kësaj rregulloreje; v. Marrëveshja me vrojtues plazhi, e cila të garantojë sigurinë në stacionin e plazhit gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. c) Njoftimi i subjektit nga grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA) për lidhjen e kontratës së përdorimit të stacionit të plazhit, brenda 2 (dy) ditëve, me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit (AKB), duke e pajisur me certifikatën e përdorimit të stacioneve të plazhit, sipas kodit përkatës identifikues. Miratimi i modelit të certifikatës së përdorimit të stacioneve të plazhit bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
11. Stacionet e plazhit, për të cilat nuk lidhen kontrata sipas parashikimeve të kësaj rregulloreje, janë plazhe publike. 12. Kontrata për dhënien në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë stacion plazhi bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, me përfitues njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, sipas modelit tip, të përcaktuar në shtojcën 8, bashkëlidhur kësaj rregullorejeje, dhe kanë afat 1-vjeçar, të vlefshme vetëm për sezonin turistik 2020.
13. Për shkeljet e zbatimit të kushteve të kontratës së lidhur për përdorimin e hapësirave të plazhit, inspektorati përgjegjës për turizmin merr masat administrative deri në zgjidhjen e kontratës. 14. Njësia operacionale e Task-Forcës, e ngritur me vendimin nr.15, datë 25.4.2020, të Këshillit të Ministrave, merr masat për garantimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë, gjatë epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
15. Për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në plazhe ngarkohet Ministria e Brendshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 16. Për sigurimin dhe zbatimin e masave parandaluese në plazhe ndaj epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, ngarkohen edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me vendimin nr.211, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të siguruar zbatimin e masave parandaluese ndaj epidemisë së shkaktuar nga COVID19
Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, inspektorati përgjegjës për turizmin, inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik (KMST), grupi teknik i shqyrtimit të aplikimeve (GTSHA), njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.