Nga Albert Vataj Tradita e skenës opertistike shqiptare me Mrie Krajën hyn në një etapë të re. Zërat e mëhershëm dhe ato të mëvonshmit së bashku me kontributin e pashoq që ajo dha, ndërtuan atë përmendore të mburrjes nacionale, atë shkas krenarie që e ka ndërkombëtarizuar zërin operistik shqiptar në skenat më prestigjoze duke e transformuar në një potencial të jashtëzakonshëm konkurues.
Marie Kraja do të mbetet një gurë themeli në traditën e këngës operistike shqiptare. Një talent që ngriti në mit femrën. Një sprovë që triumfoi duke i atribuar famë dhe mirënjohje shpirtit të sakrificës dhe vullneteve ngadhnjimtare. Zëri dhe shpirti i saj do të kërshërijnë ëndjet e brezave, të cilët do t’i jenë mirënjohës aktit të saj krijues, virtuozitetit me të cilin ajo përfaqësoi femrën shqiptare në skenën e kushtimeve të mëdha operistike botërore. Opera shqiptare, ngulmi i ëndrrës së çdo sopranoje marrin dritën më të shndritshme tek ky yll duke u bërë vazhdues të asaj udhe të gjatë që e madhja Marie Kraja e nisi atëherë kur ndër të shumë pamundësi, çdo e mundshme ishte një mrekulli, të cilën ajo e jetësoi në emrin dhe veprën e saj.
Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut.
Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës poppullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën Çilni ju moj lule
Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë. Ishte në moshën 6 vjeçare kur familja e saj u vendos në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj i parë ishte në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku Maria përfaqësoi Shqipërinë me interpretimin e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni
Në Shqipëri aktiviteti i saj fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert në Tiranë. Më 1938 megjithëse vazhdon një aktivitet të dendur koncertal, fillon punën si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë, pastaj pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946. Më pas me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve, Maria filloi të japë mësim atje dhe që në hapjen e Teatrit të Operas dhe Baletit ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni dhe u bë nga solistet e para të këtij Teatri.
Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966 Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit” mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë
Vdiq në Tiranë më parë më 21 nëntor 1999 duke lënë një nga pas një emër të madh që nderohet dhe kujtohet me përunjësi dhe respekt. Ajo do të mbetet në të përgjithmonshmen e nevojës shqiptare si një kresht krenarie, si një shëmbëllim i përmasave botërore të talentit dhe përkushtimit.