23 vjet në Maqedoni, 16 vjet në Gjermani, 7 vjet Zvicër, dhe kur e pyesin se ku është shtëpia e tij, ai përgjigjet Klinika, Triemli, këtu unë shpenzojë shumicën e kohës sime. Në fakt, mjeku për kirurgji të zemrës punon shumë, pothuajse çdo ditë ai është në sallë operacioni dhe është një ndër mjekët më të mirë në fushën e tij në Zvicër

Është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje, për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime tjera të suksesshme. Fjala është për dr Omer Xhemalin, kardiokirurg, doktor i shkencave të mjekësisë dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. 47 vjeçari me një karrierë të bujshme në mjekësi, është modestia vetë. I qetë, i afërt, komunikues, doktori i zemrës duket shembulli më bindës se madhështia qëndron në thjeshtësi

Prej afër tri vitesh dr Omeri nga Tearca e Tetovës punon në Spitalin Triemli të Cyrihut, ku mban pozicionin e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë. Për të, vendlindja është gjithandej ku flitet shqip, prandaj shpreh vullnetin e tij të ndihmojë atë duke mbartur përvojat që ka fituar në perëndim. Por ai është i shqetësuar për drejtimin që po merr shëndetësia në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni Komercializimi dhe qëllimi për fitim të shpejtë janë shkatërruese për mjekësinë atje