Misioni i autoambulancave është që të transportojnë të sëmurë apo të aksidentuar në spitale pasi çdo sekondë e fituar shpëton jetë. Po në vendin tonë jo gjithmonë ndodh kështu. Këtë vit mjetet e spitaleve janë bërë vetë protagonist të aksidenteve e në të paktën 3 nga 4 raste kanë qenë shoferët e autoambulancave fajtorë. I fundit me një viktimë u shënua në autostradën Lushnje – Fier. “ABC News” sjell një kronologji të ngjarjeve duke përfshirë muajin mars- deri në maj të këtij vitit. Periudhë kohore ku përfshihen rastet fatale të aksidentimit të autoambulancave.

25 maj 2020: Një pacient që humb jetën jo nga sëmundja por nga aksidenti në të cilin u përfshi autoambulanca që e transportonte për në spital i ka dhënë përmasa tragjike vazhdës të aksidenteve që ndodhin këtu në autostradën Lushnje-Fier. Në 25 maj këtu në fshatin Krutje një autoambulancë përfshihet në aksident me pasojë vdekjen e pacientit dhe plagosjen e drejtuesit të saj.

“ABC News” mësoi se pas ekspertizës fajtor u shpall drejtuesi i mjetit të Spitalit të Sarandës që po transportonte në Tiranë një të sëmurë për mjekim më të specializuar. Ai kreu një parakalim të gabuar dhe përplasi një benz. Shoferi u pezullua nga detyra dhe është arrestuar. Ndërsa çështja vijon të jetë në gjykim.

16 Maj 2020: Një tjetër parakalim i gabuar ndodhi në 16 maj, në aksin Patos-Fier një tjetër drejtues autoambulancë u përplas me një mjet Toyota. Në ambulancë ishte vetëm shoferi i mjetit. Goditja duhet të ishte e fortë dhe shpejtësia e lartë për sa kohë që mjeti i spitalit të Patosit hyri brenda kësaj magazine. Po fajtor u shpall drejtuesi i Toyotës.

26 Prill 2020: “Në muajin prill një autoambulancë u përplas me një benz brenda të cilit ndodheshin 4 persona. Ekspertiza nxori fajtor drejtuesin e mjetit të spitalit të Durrësit. Për fat vetëm një qytetar që udhëtonte në benz me 4 persona të tjerë u plagos lehtë. Shoferi i autoambulancës po hetohet në gjendje të lirë dhe nuk është pezulluar nga puna.