Departamenti i Administratës Publike ka nxjerrë urdhrin mbi mënyrën se si duhet të sillen punonjësit e administratës, oraret që duhen, por mbi gjitha dhe rregullat që ndiqen nga punonjësit për distancimin fizik. Gjithashtu është parashikuar masat e higjienës, sa herë duhet të kryhet larja e duarve, e të pastrohen ambientet punës.
Sipas urdhrit të posaçëm të siguruar nga Gazeta “Shqip”, kërkohet që nëpunësit dhe punonjësit e administratës shtetërore duhet të respektojnë rregullat e distancimit fizik dhe të përdorin mjetet e tjera mbrojtëse gjatë udhëtimit dhe punës në terren.
“Për nëpunësit/punonjësit e administratës shtetërore të cilët duhet të kryejnë detyra të tyre në terren, gjatë kohës kur transporti publik nuk është funksional, transporti i tyre të organizohet me makinat e institucionit, apo mes kolegëve me makinat e tyre personale. Eprorët direkt/menaxherët e linjës të nëpunësve/punonjësve që kryejnë punë në terren, duhet të mbajnë evidenca të hollësishme të punës në terren të nëpunësve/punonjësve që kanë në varësi, të dhëna të cilat mund t’i shërbejnë autoriteteve të shëndetit publik, në rast se ndonjë prej tyre preket nga sëmundja infektive COVID-19”, thuhet në një këtë urdhër.
Gjithashtu duhet të realizohet evidentimin i rasteve të nëpunësive/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19; si dhe i nëpunësive që kanë në kujdestari fëmijë deri në moshën 14-vjeç.
Përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me nëpunësit/punonjësit me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave dhe për t’u përshtatur me kërkesat e tyre. Ndërsa puna online, në distancë online ka të njëjtën kohëzgjatje kohore, si edhe puna në ambientet e punës së institucionit. Për këtë kërkohet që shteti t’i mundësojë punonjësve të tyre mjetet e nevojsme të komunikimit online, adresë emaili, kamera dhe pajisje kompiuterike. Punonjësit duhet të raportojnë dy herë në ditë.
Takimet me “popullin”
Sa i pëket institucioneve që ofrojnë shërbime për publikun, me anë të këtij urdhri kërkohet shmangia apo minimizimi i kontaktit fizik midis qytetarëve dhe nëpunësve/punonjësve dhe për të shmangur grumbullimin e tyre në sportele apo ambiente të tjera të brendshme. “Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakt i drejtpërdrejtë me publikun, institucionet duhet të pajisin nëpunësit/punonjësit me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre dhe minimizimin e transmetimit të COVID-19. Në këtë rast, vlerësohet e nevojshme të instalohen barriera fizike transparente që sigurojnë distancimin fizik ndërmjet nëpunësit/punonjësit dhe qytetarit, si dhe sinjalistika e nevojshme që tregon vendpritjet në distancë. Në ambientet që përdoren për pritjen e publikut duhet të shmanget mbipopullimi e të sigurohet ventilimi/ajrimi i shpeshtë”, thuhet në këtë urdhër.
Masat për mbledhjet
Propozohet që të ketë takime online, por nëse kërkohet mbledhja tjetër e njerëzve në sallë duhet të merren këto masa të domosdoshme. Gjatë zhvillimit të mbledhjes, organizatorët duhet të udhëzojnë pjesëmarrësit për larjen e rregullt të duarve ose përdorimin e një dezinfektanti me bazë alkooli; sigurojnë që pjesëmarrësit në takim të përdorin maska dhe t’i udhëzojnë ata të mbulojnë fytyrën e tyre me këndin e bërrylit ose një pecetë njëpërdorimëshe nëse kolliten ose teshtijnë; orientojnë pjesëmarrësit për këshillat dhe informacionin e nevojshëm të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu kërkohet që të marrin masa për ajrosjen e herëpashershme të ambientit ku po zhvillohet mbledhja, duke aktivizuar dhe sistemet e ventilimit dhe të ndjekin planin e gatishmërisë ose të kontaktojnë autoritetet kompetente të shëndetit publik, nëse ndonjë nga pjesëmarrësit nuk ndjehet mirë gjatë takimit ose ka simptoma të infektimit të mundshëm.
Me qëllim menaxhimin me efektivitet të riskut të infektimit nga COVID-19, në rastet e mbledhjeve të zhvilluara në sallë, organizatorët duhet të: mbajnë shënim emrat dhe kontaktet e pjesëmarrësve për të paktën një muaj, si dhe të njoftojnë të gjithë pjesëmarrësit nëse dikush në mbledhje është izoluar si rast i dyshuar me COVID-19.
Institucionet shtetërore duhet të marrin këto masa
Sigurimin e vazhdueshëm të elementëve të higjenës ku përfshihen: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkooli që kanë të paktën 60 përqind alkool, letër të pastrimit të duarve ose peshqir me një përdorim për pastrimin e sipërfaqeve dhe koshat e mbyllur për eliminimin e mbetjeve
Pastrimin e vazhdueshëm të sipërfaqeve dhe elementëve të tjerë të vendit të punës. Është e nevojshme që produktet dezinfektuese të kenë përqindjen, metodën e aplikimit dhe kohën e kontaktit të saktë, si dhe përdorimi i tyre duhet bërë duke përdorur mjetet e mbrojtjes personale (mbështetur në Udhëzuesin e MSHMS-së për pastrimin e mjedisit në objektet jo të kujdesit shëndetësor, e ekspozuar ndaj COVID-19);
Dezinfektimin e mjedisit të punës, pastrimin përpara hapjes dhe pas mbylljes së procesit të punës, sidomos të tavolinave, telefonave, tastierave të kompiuterave dhe çdo hapësire ku ka patur kontakt me duar, si dhe ajrimin minimalisht 3 (tri) herë në ditë;
Pastrimin e korridoreve çdo 2 (dy) orë;
Pastrimin dhe dezinfektimin e tualeteve çdo 30 minuta;
Pastrimin dhe dezinfektimin çdo 30 minuta të dorezave të dyerve të çdo zyre dhe mjedisi pune, si dhe parmakët e shkallëve;
Dezinfektimin 2 herë në ditë të ashensorëve (në institucionet që kanë të tillë);
Njoftimin menjëherë të NJVKSH-së dhe mjekut përkatës të familjes, nëse ka një rast të dyshuar me COVID-19 në institucion