Artistët janë ndër më të prekurit nga kriza ekonomike e periudhës së pandemisë. Pas kufizimit dhe ndalimit të koncerteve, lokaleve të natës apo dhe dasmave, ata kanë qenë pa kurrfarë mbështetjeje ekonomike gjatë kësaj periudhe 3-mujore.

Por sa i prek kjo gjë ekonomikish nëse do të flasim në gjuhën e shifrave. Prive al ka llogaritur humbjet e disa prej këngëtarëve më të njohur nga Tayna te Ledri Vula, duke marrë një situatë hipotetike që këtë verë s’do të mbahen koncerte.

Dhe sipas përllogaritjeve, një prej artisteve që do të ketë më shumë humbje financiare është Tayna. “Më e kërkuara e momentit, me dy e deri ne tre performanca brenda natës, thuhet se nga klubet gjatë verës, Tayna është paguar nga 7000 deri në 12000 euro. Me rreth 60 mbrëmje gjatë sezonit me opsionin më gjeneroz, Tayna parashihet të mos arkëtojë nga koncertet një shumë prej rreth gjysmë milioni eurosh, duke llogaritur pjesën e pagesave të stafit dhe shpenzimeve tjera”, shkruan “Prive.al”.

Ledri Vula do të ketë rreth 400,000 euro humbje. Capital T, Butrint Imeri e Dhurata Dora, Noizy e Meda, bazuar në shifrat e publikuara prej rreth 6000 eurosh për një koncert, supozohet të humbasin rreth 300,000 euro këtë verë. Rreth 250 000 euro mund ti humbasë edhe lideri i Babastars, Getoar Selimi, i cili vetëm pak ditë më parë pyeti publikisht: A do të këndojmë këtë verë apo jo?

Nëse mbesin në fuqi masat e ndalimit të koncerteve, situata nuk duket pozitive as për Sinan Vllasaliun, Ramadan Krasniqin, Danin e Labinot Tahirin. Me çmime për dasma e mbrëmje muzikore nga 4000 deri 5000 euro, humbjet potenciale përllogariten në rreth 350,000 euro. Të njëjtin qarkullim supozohet ta ketë edhe Ermal Fejzullahu.

Kostoja e anulimit të koncerteve të Gjikos, Rinës, dhe Feros, këtë sezon do varionte nga 150000 deri në 250000 euro

Aktualisht ende nuk ka dritë jeshile për lehtësimin e koncerteve apo lejimin e muzikës live në lokale nate, Situata pritet të qartësohet përgjatë muajit qershor, në fazën e tretë të lehtësimit.