E mbani mend mashtrimin e madh të Edi Ramës me dhunën e policisë algjerniane, të cilën ai e shiti në Facebook si masa të policisë spanjolle kundër atyre që shkelnin gjendjen e jashtëzakonshme kundër Covid 19 Në Rilindje, po gënjeu i pari të njëjtën mënyrë përdorin të gjithë vartësit.

Kështu ka bërë edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka publikuar një video me zërin dhe figurën e tij, kur dhuna ndaj një të mituri 15 vjeçar që tronditi opinionin publik në vend, justifikohet me shfaqjet e huaja të familjes së tij. Këtë logjikë kriminale, që do e kishte zili edhe policia e kohës së komunizmit, Veliu e ka shfaqur gjatë një bashkëbisedimi me video përmes telefonit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.

Ai ka treguar publikisht një video “të papërshtatshme” të nënës së 15 vjeçarit, Zaida Çobo, e cila shfaqej duke i vënë revolen në kokë dikujt tjetër. Pra nënteksti është i qartë, shikoni ç’nënë ka prandaj i duhej dhënë dru edhe djalit.

“Por a është e vërtetë që djali i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja? Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistōletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen.

Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim” tha drejtori i policisë (video poshte)

Ky arsyetim skandaloz sapo u bë publik ngriti disa pyetje që e denoncojnë Veliun.

Së pari a ka tagër ai të bëjë publike foto apo video të nënës së djalit? Së dyti në ç’mënyrë e ka siguruar dha nga e ka vjedhur? Së treti a mund të penalizohet një fëmijë për sjelljet e prindërve të tij? Së katërti dhe më kryesorja, a e justifikon figura morale e së ëmës dhunën që ushtroi policia mbi të birin?

Në vend që të justifikohej me qëndrimin e ri, drejtori i policisë krijoi një efekt boomerang.

Por idiotësia ose mashtrimi i tij nuk përfundojnë tek mënyra e të menduarit, pra tek fakti se ai e paragjykonte një adoleshent sipas sjelljeve të prindit dhe në këtë mënyrë justifikonte dhunën ndaj tij.

Budallallëku nuk ka brirë. Sepse edhe pamjet e së ëmës, që ai serviri, rezultuan të jenë një mashtrim i madh. Ato nuk janë pamje reale, por skena të një filmi, ku gruaja ka luajtur disa skena episodike në filmin “Dashuria nuk mjafton”

“Çmendet” #ArdiVeliu, justifikon dhūnën e policisë ndaj 15-vjeçarit me videon e nënës: E shikoni çfarë familje!

Posted by Të Paekspozuarit – TPZ.AL on Friday, May 29, 2020

Këtë të vërtetë tronditëse, që e bën të pashmangshme dorëheqjen e Drejtorit të Policisë, jo vetëm për mentalitetin, por edhe për paaftësinë ulëritëse, e ka pohuar vetë gruaja në fjalë. Në një intervistë për ABC Nevs, Zaida Çobo tha: “Filmi është “Dashuria nuk mjafton” e regjisorit të madh Drilon Hoxha që ka bërë bujë. Nga një anë të vjen keq por edhe për të qeshur për reagimin e tyre. Unë jam duke e ndjekur këtë çështje me struktura më lart se policia. Unë e kam thënë në intervistat e mia që ndihem e kërcënuar”

Disa ditë më parë, në 15 maj opinioni është tronditur nga dhuna që disa oficerë policie ushtruan mbi një të ri pse kishte dalë për shëtitje.

Në videon që u publikua nga JOQ Albania, dallohen dy uniformat blu që i shtrengojnë me dhunë përtokë fytyrën të riut, ndërsa e qëllojnë edhe me shpullë.

Më pas e ngrenë atë dhe e shoqërojnë drejt makinës ndërsa njëri prej policëve vijon ta dhunojë duke e qëlluar në shpinë.

Pasi plasi skandali në rrjetet sociale polici me iniciale G. H., pjesë e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr. 2, u pezullua dhe ndaj tij filluan hetimet. Por bashkë me të, për të larë fytyrën, policia gjobiti edhe adoleshentin e dhunuar.

“Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë. Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit” deklaroi pas kësaj ngjarjeje presidenti Meta.

Por, sikur të dojë të na shtyjë pas në kohë edhe më të errëta, mentalitetin e të cilave me sa duket ruan, Ardi Veliu e ka justifikuar dhunën ndaj të birit, me shfaqjet e huaja në sjelljen e së ëmës, megjithëse mes dy ngjarjeve nuk kishte asnjë lidhje. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ai ka mashtruar duke përdorur një sekuencë filmi si skenë reale që tregonte moralitetin e aktores nënë.

©Lapsi.al