Në Fletoren Zyrtare është botuar një vendim ku bëhet me dije se qeveria shqiptare ka zgjedhur grupin negociator që do ulet në tryezë me Bashkimin Evropian për vijimin e punës për anëtarësimin në union.

Sipas vendimit bëhet me dije se në krye do jetë Zef Mazi, emër që është bërë publik nga Kryeministri Edi Rama që në fillim të majit dhe anëtarë janë zëvendësministra nga të gjithë dikasterët që do negociojnë për çdo kapitull.

Anëtarët e Grupit Negociator, në bashkërendim me Kryenegociatorin, me qëllim garantimin e prioriteteve të kapitujve specifikë gjatë hartimit të programimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian për sektorët, për të cilët janë përgjegjës, marrin pjesë në procesin e identifikimit të prioriteteve për mbështetje. Institucioni përgjegjës për secilin nga kapitujt e negociatave siguron zbatimin e parashikimeve të kësaj pike”, shkruhet më tej në njoftim.

Pjesë nga vendimi

Por ajo që bie në sy është një pikë ku shkruhet se kryenegociatori barazohet me ministrin e shtetit dhe ka kompetenca të mëdha. “Kryenegociatori barazohet me ministrin e shtetit dhe, në zbatim të parashikimeve të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësi për kryerjen e negociatave teknike të anëtarësimit në BE për të gjithë kapitujt negociues”, shtohet në vendim.

Por a mund të ketë fuqinë e ministrit një person i cili nuk është dekretuar nga Presidenti dhe do ketë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen e vendit? A është shkelur kushtetuta dhe janë anashkaluar procedurat për këtë emërim, pasi më herët Presidenti ka kërkuar konsensus?

Edhe pse procedua e përzgjedhjes së grupit negociator nuk është e qartë, tashmë pritet vetëm nisja e negociatave dhe përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë.