Deputeti Myslim Murrizi, njëherazi kryetar i grupit parlamentar demokrat i ka kërkuar Autoritetit të Mediave Audiovizive që të marrë masa ndaj moderatorit Blendi Fevziu.

Murrizi thotë se në emisionin e të hënës, përballë presidentit Ilir Meta, Fevziu është shprehur me një fjalor denigrues ndaj deputetëve të opozitës së re, duke i quajtur ata karagjozë

“Gjatë bisedës mund të verifikohen lehtësisht shprehjet e përdorura nga moderatori i emisionit zoti Blendi Fevzi (ose Fevziu) (minuta 01:04:25)

Blendi Fevziu Një nga mesazhet që mua më vjen i përsëritur në forma të ndryshme, por që thelbi mbetet i njëjtë që prej thuajse një viti zoti Meta, është ai që lidhet me të futurit e rinj në parlament. Për shumicën e shqiptarëve ata janë një shpërdorim i parave publike, janë karagjozë, me një nivel mizerabël kulturor, shumë nën nivelin e përgjithshëm të shqiptarëve, gjysma e atyre janë njerëz që kanë treguar cënime të mëdha morale në raport me forcat politike që i kanë kandiduar. Pyetja ime është kjo: A kanë përgjegjësi këta liderë politikë që e mbushin Parlamentin me karagjozë të këtij niveli?

Siç dallohet lehtësisht, Zoti Fevzi, duke u fshehur pas zërit të popullit të mbërritur tek ai në forma të ndryshme e të paqarta për gjithë të tjerët që nuk janë populli i Fevziut, haptazi, rregullisht dhe dhunshëm përdor jo një, por një listë të gjatë me togfjalësha denigrues për njerëz të cilët qëllimisht i grupon në një kategori pa cituar as edhe një emër të vetëm” thotë Murrizi