Procedura zyrtare e Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar është bazuar mbi ekspertizën profesionale në fushën e trashëgimisë të një komisioni të ngritur pranë Minisrisë së Kulturës. Më konkretisht, pas kërkesës së 15 majit 2018 të Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e zonës së Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës ngriti një grup pune të përbërë nga shtatë ekspertë, me në krye Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës, asokohe Ledion Lako. Vetëm dy ditë më pas, më 17 maj 2018, ky grup “ekspertësh” konkludoi se Teatri Kombëtar nuk kishte ndonjë vlerë të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore dhe iu drejtua Këshillit të Ministrave me një përgjigje pozitive që I hapi rrugën shkatërrimit të Teatrit. Por cilët ishin këta ekspertë të trashëgimisë që arritën të firmosin këtë vendim kaq të rëndësishëm në vetëm dy ditë kalendarike?
Më poshtë po bëjmë me dije për publikun eksperiencën e anëtarëve të komisionit, që kanë hedhur firmat mbi akt-ekspertimin teknik-strukturor, higjenik, artistik, funksional, arkitekturor, kulturor si trashëgimi dhe gjelogji-sizmik të godinës së Teatrit.
Sic mund të konstatohet nga CV e këtyre “ekspertëve” asnjëri prej tyre nuk ka kualifikim profesional për të gjykuar mbi rëndësinë e godinës së Teatrit Kombëtar si në aspektin historik po ashtu në aspektin arkitekturor dhe ndërtimor. Asnjëri prej tyre nuk ka punuar në ndonjë projekt të ngjashëm me Teatrin apo në fushën e restaurimeve të ngjashme.