Ditën e nesërme rikthehet tryeza ‘Zgjedhore’ Pas pezullimit të punës për disa ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, përfaqësuesit e partive politike në vend do ti rikthehen punës. Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore pritet që nesër të shënojë mbledhjen e parë, ku pritet të miratohen disa çështje.
Burime për Dosja.al bëjnë me dije se nesër do të diskutohet për kuotat gjinore, financimin, periudhën zgjedhore dhe teknologjia e informacionit vendosjen e kamerave monitoruese në ambientet e votimit. Deri më tani palët kanë rënë dakord që zgjedhjet mos të mbahen më në muajin qershor. Socialistët kanë sugjeruar që votimi të bëhet më 14 prill deri në 15 maj, ose 1-13 tetor. Edhe të tjerët kanë rënë dakord me periudhën prill-maj, por kanë shtuar si opsion edhe periudhën nga 14 shtatori deri në 31 tetor.
“Molla e sherrit” në Komision mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore, pasi socialistët e duan të plotë, ndërsa opozita kërkon një sistem miks. Një pikë tjetër e nxehtë është edhe ajo e reklamave në media. Nga ana tjetër, financimi i fushatës zgjedhore është thuajse i dakordësuar mes ekspertëve teknikë.
Ky është afati i tretë brenda të cilit duhet të gjendet patjetër një konsensus për të mbyllur Reformën Zgjedhore. Afati i parë ishte më 15 mars, por koronavirusi ndërpreu punimet për më shumë se 2 muaj. Afati i dytë ishte fundi i majit, por prishja e Teatrit dhe një bojkot i opozitës shty sërish dorëzimin e punës. Ndërkohë, afati i tretë është caktuar në fund të qershorit.