Këshilli i Ministrave ka bërë disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ të datës 15 mars të këtij viti në kuadër të masave të veçanta anti COVID 19.

Pas lejimit të më shumë se 1 personi në studiot televizive, qeveria sërish mund të gjobisë televizionet apo dhe ti mbyllë në rast se ky i fundit nuk respekton distancën prej 2 metrash mes të ftuarve.

Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në të njëjtën studio televizive, që nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njëri-tjetri, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe, në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent.”, thuhet në ndryshimet e sotme te aktit normativ te dates 15 mars.

Gjithashtu po në këtë akt, qeveria ka vendosur të gjobisë me 50 mijë lekë çdo subjekt i cili nuk aplikon për pagën e luftës për çdo punonjës i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj ndihme financiare.

“Subjektet e gjobituara mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mosaplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative” thuhet në aktin normativ të firmosur sot nga kryeministri Edi Rama