Romeo Gurakuqi

Zoti Veliaj, me zë të dridhur, e ka të qartë, se mbi kokën e tij dhe të institucionit që ai drejton rëndojnë një numër veprash penale. Atij dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak, të uzurpatorëve më të rinj të Tiranës, zotit Gogu (vini re se Tirana drejtohet sot nga dy njerëz të ardhur nga fshatrat e Beratit dhe në Këshillin Bashkiak mungon tërësisht qytetaria vendase) padrinoja u ngarkoi sajimin e akteve ligjore dhe procedurave të shkatërrimit të kompleksit Skanderbeg, me rëndësi historike për Shqipërinë dhe markimin europian të Kryeqytetit të vendit

Dje, në shkelje të të gjitha afateve ligjore dhe pa masa paraprake siguruese dhe protokollare u shkatërruan prona publike, arkiva e dy teatrove, pajisje të inventarizuara, u rrahën barbarisht qytetarë, studentë, gazetarë (shtetas amerikan me origjinë shqiptare) ish deputetë, aktivistë të rinisë nga Policia Bashkiake, e përbërë nga kooperativistë të krahinave mbështetëse të Erion Velisë, nga repartet e zeza dhe pa shenja dalluese të Policisë së Shtetit, institucion ligjërisht i pavarur, por i drejtuar, jo nga një oficer karriere siç mund të ishte zoti Tonin Voci, por nga një personazh riosh nga Delvina i quajtur Ardi Veliu, vetingimi dhe sqarimi i pasurimit të të cilit nuk është bërë publik, sikurse e kërkon ligji i Fatmir Xhafës

Në bazë të Kodit Penal të Procedurës Penale, duke qenë, se ka pasur ngjarje penale, Prokuroria e Shtetit duhej të ishte në vendin e ngjarjes, të ndalte shkatërrimin, dhe të rrethonte skenën e krimit. Nuk ka ndodhur as sot dhe besoj se nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Të gjitha institucionet janë në një komandë.

Pyetja është kush duhet ta vendosë në lëvizje Prokurorinë e “Reformuar” të Republikës?

Heshtje nga të gjithë!

Unë nuk pres në fakt asgjë nga shërbëtorë historikë të PPSH në krye të organeve të reja të drejtësisë. Nuk pres asgjë nga persekutori dhe torturuesi i një muzikanti të talentuar (Andrea Filip Daija) 32 vite më parë, që sot ka ndërrue veshje dhe udhëheq Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Ai nuk mund të shohë vepra penale të kryera nga pushtetarët aktualë që e emëruan në majë të Drejtësisë së Re

Është një ngjarje e rëndë, komplekse, kuptimplotë për përkufizimin e gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria. Ajo nuk mund të thjeshtëzohet në një kauzë të një komuniteti artistësh. Dje, regjimi i gllabëruesve dhe i kompromentimit të bashkëpunëtorëve në krim në shkëmbim të parasë dhe ofiqeve, goditi pa mëshirë përtej vijës së kuqe, aty ku nuk kishte guxuar askush.