Sezoni turistik rrezikon të dështojë nëse nuk përcaktohen qartë rregullat nga ana e qeverisë. Kështu u shpreh Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në një intervistë për Report Tv.
“Është shqetësim i madh sepse biznesi ecën përpara dhe ka marrë disa masa, por nga ana tjetër qeverisja është në pozicion “stund by” Do të mjaftonte të kishim një vendimmarrje të qartë, që të gjithë të kishim të bërë përgatitjet në aspektin formal të kontraktimit për funksionimin e stacioneve të plazhit në mënyrë që kur të binte gongu të ishim të gjithë bashkë” tha Ademi.
Ajo u shpreh se biznesi është përballur me vështirësi të shumta dhe duhet një mbështetje nga qeveria sidomos për qytetet bregdetare.
“Në kushtet e pandemisë nevojitet mbështetje qeveritare për lehtësime ndaj biznesit që lidhet me likuiditetin dhe mundësinë e uljes së barrës së papunësisë” shtoi Ademi.
Kryebashkiakja e Shkodrës nga ana tjetër ka deklaruar se projektvendimi për faljen e detyrimeve te biznesit te vogël është ende ne tryezën e Këshillit Bashkiak, pasi ka pasur kundërshti.
“Kemi hartuar projektvendimin për lehtësimin fiskal për muajt mars prill maj duke hequr tarifat e shërbimeve. Kjo nuk u miratua në mbledhjen e parë, e kemi ridërguar dhe me shpjegime më shumë” tha kryebashkiakja.
Me det, mal, lum dhe liqen, Shkodra ka një potencial te madh për turizmin megjithatë duket se ky vit do të jetë i vështirë.