Duke ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparëshme.
“Ekspertët tanë e kanë thënë që në krye të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme” tha Manastirliu.
Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.
“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e rihapjes” tha Manastirliu