Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Masat penalizuese ndaj televizionit Ora News janë akte të pastra lufte ndaj medias dhe gazetarëve kritikë
Tiranē më 15.05.2020
Një inspektoriat shtetëror ISHSH dhe enti rregullues Autoriteti i Mediave Audiovizive ( AMA ) kanë penalizuar sot Ora News dhe tre gazetarë – moderatorë të emisioneve të tyre respektive – me masa ndëshkuese financiare dhe me akt ndërprerjeje veprimtarie. Kjo është masa më e rëndë e dhënë ndaj një subjekti mediatik në Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë, nën pretendimin e shkeljeve të konstatuara të kerkesave ligjore të subjektit të inspektimit, në mbështetje të Aktit Normativ nr.3, neni 3, pika 13. Të konstatuara si kundërvajtje administrative këto shkelje janë bashkëshoqëruar me masat e mbylljes së aktivitetit dhe gjobave administrative 1,000,000 lekë (bashkëngjitur me deklaratën tonë paraqesim faksimilet e dokumentave të penaliteteve të dhëna).
Ky është nje akt i paprecedentë dhe i pandashëm nga konteksti i masave dhe vullnetit që qeveria e kryeministrit Rama dëshmon prej kohësh me nismat ligjore dhe paketën e ashtu-quajtur Antishpifje për të kufizuar dhe vendosur në shpërgënj shprehjen e lirë dhe raportimin e pavarur në mediat e vendit. Një masë e tillë ndaj një televizioni me profil informues dhe opinion-bërës mbart vlerën e një akti lufte jo vetëm ndaj një subjekti meditik, por edhe ndaj gazetarëve kritikë. Në të njëjtën kohë, krijon premisën e plotë për një antagonizëm për qëllime politike mes gazetarëve, funksionit të medias dhe pushtetit qeverisës në vend. Ky akt është investimi negativ i qeverisë dhe institucioneve të komanduara të saj me emërtim publik për ta zbritur Shqipërinë, në të ardhmen e afërt, edhe më poshtë në indeksin e pritshëm të lirisë së medias.
Kosto të tilla janë të refuzueshme për imazhin e një vendi që synon të bëhet vendi anëtar i Bashkimit Europan. Ato janë arsye pse gazetarët në këtë vend duhet të shumëfishojnë përgjegjësitë dhe solidaritetin e tyre profesional dhe të vazhdojnë me pasqyrimin e drejtë dhe kërkesat për transparencë kundrejt palëve demagoge politike të këtij vendi.
Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë