Në gjendje të rënduar mendore dhe fizike kthehet në shtëpi 2 javë pasi u zhduk, nënoficeri i Gardës së Republikës Ervin Dërguti. 27 vjeçari u denoncua si i humbur në emisionin ’Pa gjurmë’ ndërsa është kthyer me këmbët e veta në banesë. Lëvizjet kaotike dhe pa destinacion të të riut sipas familjarëve kishin të bënin më gjendjen e ankthit që i riu po kalonte gjatë kohës së karantinës.

I riu ndodhet në spital, nën trajtimin e mjekëve, pasi nuk gëzon shëndet të mirë mendor, për shkak të humbjes së vetëdijes. Në një lidhje telefonike, daja i 27 vjeçarit Haxhi Vela tha se ai nuk mbante mend asgjë.

‘Ka shkuar me këmbët e veta në shtëpi, në orën 1 pas mesnate ditën e mërkurë. Ka trokitur vetë në derë. Nënës së tij Gjyles, nuk ka mundur ti komunikojë asgjë, pasi nuk mbante mend ku kishte qenë. Ishte i rraskapitur dhe shumë i lodhur. Ditën e sotme e kemi dërguar në spital. Tani ndodhet nën trajtimin e mjekëve në spital tha daja.

Ervin Dërguti humbi më 27 prill të këtij viti dhe mjaft informacione mbërritën në studion e emisionit ku telefonues treguan vendndodhje të ndryshme të 27 vjeçarit, fillimisht në Elbasan, e më pas se ishte parë në fshatin Shëngjergj të Tiranës. Itinerari i fundit i të riut sipas informacioneve që mbërritën ishte Tirana, ku u mësua nga familjarët se Ervini kishte tërhequr para në një bankë pranë zonës së Medresesë të premten e kaluar. 5 ditë më pas ai gjendet po në kryeqytet, disa km larg nga zona ku kishte kryer veprimin në bankomat. Nënoficeri i Gardës së Republikës, Ervin Derguti humbi gjurmët më shumë se 2 javë më parë

Kamerat e sigurisë në rrugicën pranë banesës së tij, treguan lëvizjen e fundit të të riut i veshur civil dhe pa armën e shërbimit me vete. Ai nuk kishte munguar asnjë ditë në Gardën e Republikës ku punonte, që nga moment i kufizimit për shkak të situatës nga koronavirusi deri ditën e 27 prillit, kur doli nga shtëpia në orën 5 të mëngjesit.

Por familjarët thanë në ‘Pa gjurmë’ se ai kishte patur herë pas here probleme ankthi, çka shpjegoi edhe arsyen e zhdukjes së tij në mënyrë thuajse të pavullnetshme 18 ditë më parë