Izolimi nga Covid-19 prodhoi mjaft ngjarje dhe konflikte nga më të pabesueshmet që ndryshe njihen si mosmarrëveshje banale. Disa kanë kërkuar ndihmë në polici për qiranë. Dikush tjetër për pagën e luftës. Por ka edhe raste ku vetë punëdhënësi pretendon se u vodh nga vartësit në formë hakmarrjeje, pasi kishte vonuar pagesën mujore. Duket kriminale dhe i pafalshëm veprimi i shitëses, por si do vepronit ju në rast se punëdhënësi nuk ju jep rrogën mujore apo në rast se e vonon pagesën? Disa ndoshta mund të përgjigjen se do i drejtohen gjykatës. Por, një vajzë e re ka zgjedhur “të edukojë” pronarët e tu tregojë të drejtat e saj.
Shitësja ka marrë nga kasa vetëm rrogën që i takonte pa e prekur të gjithë xhiron ditore të dyqanit. K. H, e moshës 23 vjeç, ia coi gjakun në fund të këmbëve pronares që gjeti në kasë vetëm 30 mijë lekë të vjetra. Në fund të ditës shitësja sipas burimeve të gazetës “Si” mori nga kasaforta një pjesë të xhiros ditore, fiku telefonin dhe u kthye në shtëpi. Madje edhe kur e hapi, ajo shikonte me qetësi numrin që po e telefononte dhe nuk denjoi t’ia hapë derisa i ranë nervat dhe i tha pronares “po lekët i mora unë se nuk me dhe rrogën, 230 mijë lekë është rroga ime dhe aq mora edhe unë, të tjerat nuk ishin haku im dhe ndaj nuk i preka”
Siç bën me dije i njëjti burim i sigurt i gazetës “Si” dyqani i kozmetikës në Tiranë u hap pas kufizimeve parandaluese nga Covid-19 dhe për rrjedhim u kthye në detyrë edhe vajza me inicialet K. H. Por teksa dukej se po kthehej e qetë në detyrë, një ditë më parë shitësja kishte debatuar me pronaren dhe i kishte kërkuar rrogën. Por pronarja i tha se duhet të priste edhe pak sa të bëhej inventari. Në këtë pikë vajza e re është ofruar dhe i ka thënë se do ta bënte ajo inventarin. Dhe e ka bërë fare mirë.
Pronarja tregon në polici “më vendosi në dijeni punonjësja tjetër se paratë i mori shitësja, u mundova të lidhesha me të në telefon, ajo e kishte fikur, pastaj kur e hapi më tha ato janë lekët e mia se nuk më ke dhënë rrogën”
Por vajza veç parave kishte marrë po ashtu edhe çelësin e dyqanit të kozmetikës. “I kërkova të sillte lekët dhe çelësat, por vajza më tha se do kaloj kur të kem kohë dhe ma mbylli telefonin” përshkruhet në vazhdim në denoncim. Gruaja këmbëngul se pavarësisht situatës së Covid-19, kur dyqanet ishin të mbyllura ajo i ka paguar përsëri rrogat. Ndaj pronarja shton më tej duke e përshkruar shitësen “ajo ka qenë përherë korrekte dhe e sjellshme, jam shumë e habitur prej saj, e besoja”
Burimet shtojnë për gazetën “Si” se është thirrur e pyetur edhe K. H. Qetësisht ajo ka pranuar para agjentëve të njëjtën gjë që i kishte pohuar në telefon punëdhënëses.
“I mora 230 mijë lekë aq sa është rroga ime, si garanci që të më hidhte rrogën mujore, pasi m’u duk e padrejtë. Punëdhënësit e mi u treguan selektivë dhe disave ua hodhën rrogën, disave jo, si për shembull mua. Për të qenë e sinqertë i mora veç si garanci edhe sepse më zuri frika se mos kishin vendosur të më hiqnin nga puna.
“Shitësja ka treguar se kishte qenë aq korrekte në punë sa përshkroi distancën e madhe mes shtëpisë ku jeton dhe dyqanit të kozmetikës. “E bëja rrugën në këmbë dhe erdha në këmbë, më vjen keq që puna ka shkuar deri në polici. Që tju tregoj se sa besnike jam në detyrë, po shtoj se nga 260 mijë e 140 lekë xhiro ditore të asaj dite, unë mora vetëm 230 mijë lekë (të vjetra) aq sa kam edhe rrogën mujore” e ka mbyllur në përfundim deklaratën shitësja. Në përfundim policia vendosi mos ta arrestojë vajzën, e cila ka nxjerrë nga xhepi lekët dhe çelësin dhe u ka thënë agjentëve se kishte vepruar në atë mënyrë vetëm nga halli e për tu treguar pronarëve se askush nuk mund ti shkelte të drejtat e saj.
Sidoqoftë nëse vendos prokuroria, shitësja rrezikon të vendoset nën hetim për vetëgjyqësi. Agjentët e përshkruan shitësen si kokëfortë që në fund kur i ka palosur sërish paratë dhe i ka futur në xhep ka shtuar “do shkoj ti kthej, por nëse pronarja nuk më bën pagesën që më takon, do jetë radha ime që do vij këtu për të kallëzuar. Kjo histori mund të ishte zgjidhur pa polici”, ka shtuar 23-vjeçarja që ndoshta veç mësimit që iu dha pronarëve, iu dha edhe një leksion efektivëve të policisë, të cilët pasi i dëgjuan të dyja palët thonë jozyrtarisht se “ndonjëherë është e vështirë të qëndrosh i qetë”
Marrë nga Gazeta Si