Pika e kalimit kufitar në Hanin e Hotit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka funksionuar pothuajse vetëm për transportin e mallrave duke qenë e mbyllur për lëvizjen masive për shkak të pandemisë.
Kjo ka bërë që kriminaliteti të jetë zero në këto dy muaj por frika se grupet kriminale apo individët mund të rikthehen me aktivitetet e tyre për kalimin e emigrantëve apo edhe lëndëve narkotike është prezente. Zëvendës drejtori i policisë kufitare në Malin e Zi Vojislav Dragoviç thotë se mund të ketë një tallaz të ri të emigrantëve apo kriminalitetit në momentin kur të vendosjet hapja e kufijve.
I pyetur se kur mund t’i hapë Mali i Zi kufijtë me Shqipërinë, zëvendës drejtori shprehet se gjithçka varet nga situata në rajon dhe vendimet që do kenë qeveritë përkatëse duke mos patur një datë konkrete.
Gjithsesi edhe në këto kohë pandemie bashkëpunimi mes dy policive asaj shqiptare dhe malazeze ka vijuar normalisht dhe pritet që të rikthehen patrullimet e përbashkëta kur pandemia të kalojë.
Pika kufitare në Hanin e Hotit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi është ndër më të rëndësishmet duke qenë se është një pikë tranzit që lidhet me pjesën tjetër të Europës dhe ku lëvizja është gjithnjë e lartë duke përjashtuar dy muajt e fundit si shkak i pandemisë.