Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi akuzon qeverinë për moskokëçarje dhe papërgjegjshmëri për të parandaluar infeksionin e gështenjës nga “grenxa e zezë”.
“Për të dytin vit radhazi, kultura e gështenjës është infektuar nga “grenxa e zezë”
Rreth 1124 hektarë me këtë bimë, ku përfshihen ekonomitë pyjore Lugina e Kirit, Shosh1 , Rosek Drisht, Shalë 1 dhe Shalë 2, janë prekur nga kjo sëmundje.
Pas sinjalizimeve të marra nga administratorët e njësive administrative, Bashkia e Shkodrës ka sinjalizuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Prefektin e Qarkut Shkodër, ka përcaktuar edhe përfaqësuesit e saj në një grup pune që duhej të ngrihej dhe që faktikisht, nuk është bërë asnjëherë funksional nga dikasteret në qendër dhe drejtoritë rajonale në Shkodër.
Kultura e gështenjës, është kultura kryesore për zonën, përmes të cilës sigurohen të ardhurat për familjet. Pavarësisht se shqetësimi ngrihet prej dy vitesh, akoma nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë. Në emrin e banorëve që administrojnë këto ekonomi pyjore në Luginën e Kirit, në Shosh, Rosek Drisht, në Shalë, i bëjmë apel Ministrisë së Bujqësisë, që të ndërmarrë e masat emergjente për mbrojtjen dhe luftimin e këtij infeksioni të gështenjës.
Nuk ka abuzim më të madh se sa moskokëçarja dhe papërgjegjeshmëria për një nevojë tashmë emergjente, kërcënuese për ekonominë e familjeve të Dukagjinit, kërcënuese për ambjentin dhe pyjet në Veri. Bashkia e Shkodrës është e gatshme të vërë në dispozicion çfarë të kërkohet, vetëm që kjo gjë të zgjidhet me eskpertizën e duhur. Ky është apeli i fundit. Më pas do t’i drejtohem organeve ligjzbatuese dhe të hetimit” tha Ademi.
Por në fakt qeveria prej datës 6 maj miratoi vendimin që u botua edhe në fletoren zyrtare, ku ngarkon Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si autoritet kontraktor për realizimin e procedurës së prokurimit publik me objekt “Mbrojtjen e gështenjës nga paraziti grerëza Galeformuese (Dryocosmus Kuriphilus Hymenoptera: Cynipidae) pra goditjen e infeksionit që ka prekur gështenjën.