Pak ditë më parë në Koman, disa pamje të frikshme të xhiruara rastësisht, treguan një masiv shkëmbor që u shkëput duke rrezikuar jetën e dhjetëra banorëve që kanë banesat poshtë masivit shkëmbor.
Një banor i zonës tregon rrezikun që i kanoset nga rëniet e shkëmbinjve, fenomen ky i cili është i përsëritur dhe më i shpeshtë pas ndërtimit të digës së hidrocentralit të Komanit.
“Shkëmbinjtë janë bërë më të rrezikshëm 30 vitet e fundit. Një rrotullim tjetër mjaftonte, dhe do të shkonin deri te shtëpitë. Pas ndërtimit të hidrocentralit këto raste janë shpeshtuar” thotë Martin Kola, një nga banorët e banesave.
Situata e rrezikshme pranohet edhe nga Mark Babani, kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës, që mbulon edhe zonën e Komanit.
“Me thënë të drejtën situata është e frikshme, ato shtëpi rrezikojnë vërtetë shumë, kemi pasur fat deri më tani. Por ne do të bëjmë një relacion që do të përcjellim në prefekturë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të shohim reagimin e Shtetit” deklaroi për A2 Babani.
Si për ironi të fatit zona ku ndodhen banesat e rrezikuara nga rëniet e shkëmbinjve është zonë e shpronësuar, por vetë banorët shprehen se ata nuk kanë marrë asnjë lek që të zhvendosen dhe të mos jenë të rrezikuar.
“Ky është vend i shpronësuar, por nuk kemi marrë asnjë lek as nga hidrocentrali, as nga monizmi, as nga demokracia, i kërkojmë shtetit të na nxjerrë nga këtu, se nuk kemi mundësi të ikim vetë” thotë i brengosur Martini, që sheh çdo ditë e më shumë jetën e tij dhe banorëve të tjerë në rrezik.